Haxhiu: Duhet të ketë një mekanizëm mbikëqyrës për Gjykatën Speciale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e nevojshme që të ketë një mekanizëm mbikëqyrës për Gjykatën Speciale në Hagë.

Haxhiu ka thënë se ai mekanizëm nuk duhet të jetë as Qeveria e as Kuvendi i Kosovës, porse është e nevojshme të ketë mekanizëm mbikëqyrës.

“Vlerësoj se kryetari i Kuvendit ka pasur të drejtë kur e ka adresuar çështjen që lidhet me mungesën e mbikëqyrjes të një instance ndaj Gjykatës Speciale. Kryetari kur ishte në vizitë në Hagë dhe u kthye e shprehi këtë nevojë. Nuk është ai institucion mbikëqyrës as Qeveria e as Kuvendi. Është diskutuar në grupet e brendshme në Kuvend, ministri e Qeveri, të jetë një instancë që mbikëqyrë. Edhe Tribunali i Hagës e kishte OKB-në që monitoronte se si funksiononte. Për vet Gjykatën Speciale nuk është mirë të mos e ketë një instancë mbikëqyrëse”, ka thënë Haxhiu në Interaktiv të KTV-së.

Haxhiu ka thënë se këtë ia ka shprehur gjatë vizitës në Hagë edhe kryetares së Dhomave të Specializuara.

Ajo ka thënë se në pyetjet që i janë bërë këtyre Dhomave, shumica e përgjigjeve që kanë marrë ishte, se është konfidenciale.

“Isha e shqetësuar në raport me Avokatin e Popullit të këtyre Dhomave. Kemi pasur kërkesa që nuk kishte fare të bënte me ndonjë konfidencialitet. Ne pyesnim a ka pasur ankesa, nëse po sa raste janë gjetur shkelje. Përgjigja ishte vetëm se është konfidenciale. Në shumicën e pyetjeve që kemi adresuar, mos të them qind për qind, përgjigja ishte se janë konfidenciale. Më la përshtypje edhe Avokati i Popullit atje, si staf ishin vetëm dy persona, avokati dhe një zyrtar ligjor. Nuk e di a e kanë rritur numrin. Por ka shumë gjyqtarë e prokurorë atje, ndërsa shumë pak te Avokati i Popullit. Kjo tregon se nuk i kanë dhënë shumë rëndësi të drejtave të njeriut”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë shumë për çështjen e Gjykatës Speciale, pasi në vitin 2015 u votua në Kuvend, Gjykata Speciale, ndonëse Vetëvendosje kishte kundërshtuar.