Sot shpallet aktgjykimi për Salih Mustafën

Gjykata Speciale sot do të shpallë aktgjykimin lidhur me rastin e Sali Mustafës.

“Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës, më 16 dhjetor 2022 në orën 9:00”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Prokurori i Specializuar e akuzon Salih Mustafën për përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në rajonin Gollak të Kosovës.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash dhe qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si në vijim: Akuzat janë si më poshtë: Katër akuza për krime lufte: Ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së.