Haxhiu: Haradinaj ka pritur kriminel në zyrën e tij

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka komentuar deklaratën e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ku e pyeti kryeministrin Albin Kurti se nëse është rekrutuar nga shërbimet sekrete gjatë kohës sa ishte në burg, raporton Gazeta Express.

Haxhiu në Dpt te Fidani në Pressing thotë se Haradinajt ‘nuk i ka hije’ të flasë pasi, sipas saj, ai ka pritur në zyrën e tij kriminel që dyshohen për krime të rënda në Kosovë.

“Ai ka prit në zyrën e tij kriminel që dyshohen për krime të rënda në Kosovë, nuk i ka hije një personi të tillë të flasë, që gjithë i ka shërby interesave të veta gjatë qeverisjes së tij.

Si me thënë, nuk është që nuk e kemi pritur, por në fakt më e tepër e shoh si reagim për shkak të reformave të thella që Qeveria Kurti pritet t’i bëjë”, tha Haxhiu.

Ndërsa Haradinaj, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës i është drejtuar Kurtit me dy pyetje.

“Kam dy pyetje për kryeministrin, Albin Kurti, a je i rekrutuar nga shërbimet serbe, a bën Serbia diçka mbi ty që të mban peng, sot e kësaj dite, a është Kosova e rrezikuar prej teje si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit në burg apo nga çlirimtarët që janë detyru me majt pushkën në dorë me luftu për lirinë e vendit duhet të deklarohesh sepse qarkullojnë gjatë këto edhe nga deklarimet e tua na bën me dyshu se mbahesh peng nga shërbimet serbe ”, tha Haradinaj.

“Dhe e dyta çka po i sjell Kosovës tregona kur po shkon në Bruksel”, tha Haradinaj.