Kastrati godet Nagavcin: Ndale manipulimin

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i ka reaguar, ministres së Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, duke i thënë që t’i ndalë manipulimet.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka reaguar sot pas incidentit në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës, me ç’rast policia e Kosovës ka ndërhyrë kundër banorëve të fshatit, të cilët e bllokuan derën e hyrjes së shkollës për të mos e lejuar futjen e invertarit për fëmijët parashkollorë. Është shprehur se situata e krijuar në mes të kryetari të Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qëndrorë.

“Ajo ka thënë se jo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes Kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qëndror.
Sado që ka qëllime tendencioze, e vërteta është se ne nuk kemi ndërhyrë në situatën e krijuar në mes të komunës dhe banorëve në asnjë rast. Por respektojmë të drejtën e qytetarëve dhe mendojmë se askush nuk ka të drejtë të tejkalojë kompetencat aq më tepër kur në këtë mes janë fëmijët”, ka shkruar Nagavci.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kastratit i cili i është drejtuar ministres Nagavci që t’i ndalë manipulimet.

“Znj. Nagavci ndale manipulimin!
Sot kur Komuna e Kamenicës po hapë një çerdhe shumë të nevojshme në një fshat të varfër për fëmijët 96% e të cilëve rrinë në shtëpi, Ministrja e Arsimit e cila zotim kryesor ka pasur hapjen e çerdheve, po e pengon atë.
Znj. ministre ndërpreje nxitjen e banorëve sepse me metodat e jashtëligjshme, nga kulla e të paprekshmes, porsi të ishte ministre e kohës së Ali Bungut po flet për mbyllje shkollash kur në fakt po hapet një çerdhe. Aq e informuar jeni. Aq kompetente jeni”, ka shkruar ndër të tjera Kastrati.

Postimi i plotë:

Znj. Nagavci ndale manipulimin!
Sot kur Komuna e Kamenicës po hapë një çerdhe shumë të nevojshme në një fshat të varfër për fëmijët 96% e të cilëve rrinë në shtëpi, Ministrja e Arsimit e cila zotim kryesor ka pasur hapjen e çerdheve, po e pengon atë.
Znj. ministre ndërpreje nxitjen e banorëve sepse me metodat e jashtëligjshme, nga kulla e të paprekshmes, porsi të ishte ministre e kohës së Ali Bungut po flet për mbyllje shkollash kur në fakt po hapet një çerdhe. Aq e informuar jeni. Aq kompetente jeni.

Nëse e zotëroni detyrën tuaj dhe po i përfillni siç pretendoni obligimet kushtetuese, ju ftoj t’i realizoni ato me mjete ligjore, jo t’i përforconi metodat e fisnore arkaike të funksionimit të shoqërisë të stilit “askush s’guxon të ju prekë”.

Kjo situatë është kryekput situatë politike e përdorur në tri palë zgjedhje, ku ju dhe veglat e Vetëvendosjes, nxitës të linçimeve në komunitet, keni përdorur situatën për të arritur qëllimet politike. U keni premtuar banorëve që kjo reformë nuk do të realizohet, do të rrëzohet sapo të vini ju në pushtet. Dhe ku është kompetenca juaj për të ndalë reformën? Përse vazhdoni ta luani dashamirësen kur e keni obligimin të deklaroheni për demarkimin e kompetencave? Përse nuk vetdijësoheni që kjo lojë juaja po dëmton fëmijët dhe prindërit e tyre të cilëve ua keni krijuar shpresat se ju mund t’i rregulloni problemet si me magji?

Ju shumë mirë e dini që për të kontribuar në trazimin e situatës nuk keni nevojë t’i merrni për dore banorët dhe t’i dërgoni në përballje me institucionet lokale, por mjafton të shkruani këso statuse dykuptimshe ku në nëntekst ftohet për rezistencë.
Tash e 20 vjet shkollimi u është dhënë fëmijëve. Edhe në Poliçkë e Sedllar. Por çfarë shkollimi është ai? Kjo është ajo që ju përfaqësoni! Kërkesën për të mirëmbajtur objekte ku fëmijët i shërbejnë sentimentit që një objekt po na sillka zhvillim, ndërkohë që s’ka përmbajtje. Ndërkohë që rezultatet e PISA-s e tregojnë të kundërtën. Ndërkohë që rradhët për të marrë vizën për në Gjermani janë pasqyrë e gjendjes sonë.

Një qeveri që është dorëzuar para Veriut të Mitrovicës duke ua paguar rrymën kripto-kriminelëve, sot e ka gjetë në një komunitet të vogël ta zhvillojë betejën e saj politike. Në këtë komunitet ku po ndodhë një reformë e mirëfilltë para të cilës ju vet jeni dorëzuar. Fatmirësisht jo të gjithë politikanët e shohin politikën si instrument për t’u fuqizuar për vete, por për të ndërmarrë veprime për të mirën e përbashkët dhe nuk zbrapsen nga sfida e parë që ua cenon zgjedhshmërinë.

Nëse e keni përnjëmend brengën, ju ftoj t’i ballafaqojmë arsyet, të dhënat, bindjet dhe bazën ligjore në një debat publik, e jo të fsheheni pas statuseve ku i shprehni dy-tri hamendësime dhe nxisni trazime në publik.