Haxhiu kërkon sërish dorëheqjen e kryeprokurorit në Prishtinë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përsëritur kërkesën e saj për dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në konferencën për media teksa ka folur për rastin e dhunimit të 11-vjeçares ka thënë se Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme do të vazhdojnë të marrin masa ndaj personave përgjegjës për këtë rast.

“Së pari siç e keni parë pas saj që ka ndodhur me 11 vjeçaren ka pasur dy dorëheqjeje dhe ne mendojmë që të ketë edhe të tjera për shkak që ka edhe zyrtarë të tjerë që nuk I kanë kryer detyrat e tyre. Siç e dini dje kam kërkuar dorëheqjen e kryeprokuror të prokurorisë themelore në Prishtinë sepse para dy ditësh u arrestuar gjashtë persona të cilët dyshohet se kanë dhunuar seksualisht të miturën apo fëmijën 11 vjeçare në qershor të këtij viti”, tha ajo.

“Po të vepronte prokuroria me kohë sigurisht që ata persona do të arrestoheshin më herët dhe vepruan vetëm dy muaj më pas. prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës të jap dorëheqje. Ne po ashtu edhe brenda MPB-së edhe brenda Ministrisë së Drejtësisë jemi duke identifikuar personat përgjegjës që lidhen me rastin në mënyrë që të marrim veprime edhe ndaj atyre”, shtoi ajo.

Tutje ajo ka shtuar se Ministria e Drejtësisë është duke marrë parasysh edhe kërkesat e protestuesve për rastin e 11 vjeçares dhe ka shtuar se tashmë ministria ka filluar të vihet në lëvizje për t’i përmbushur këto kërkesa.