Logopedët trajtojnë falas nxënësit me probleme në të folur

Mbi 20 nxënës të shkollës fillore “Mehmet Gjevori” në kryeqytet, janë lajmëruar në kabinetin logopedik që nisi punën rreth 2 javë më parë.

Trajtimet në të folur për fëmijët po jepen falas nga Instituti Kosovar për Logopedi.

“Terminet janë caktuar nga prindërit, kanë ardhur në kabinet dhe kanë shprehur interes për të caktuar termin me logopedin. Për momentin në secilën shkollë i kemi nga gjashtë logopedë vullnetarë”, tha Drejtoresha e Institutit Kosovar për Logopedi, Ardita Uka-Rexha.
Shërbimet ofrohen nga ora 08:00 e mëngjesit e deri në 12:00, derisa projekti do të vazhdojë gjatë gjithë vitit shkollor.

Në të njëjtën kohë me këtë institucion arsimor, iniciativa ka filluar edhe në shkollën “Asim Vokshi”, e te ajo “Emin Duraku” zhvillohet qysh nga viti i kaluar. Kjo, sipas drejtorit të kësaj të fundit, Visar Osmanit, po thuhet se ka sjellë shumë përfitime për nxënësit.

Puna e logopedëve po financohet nga Komuna e Prishtinës, derisa kostoja për këtë vit është 9 mijë euro./klankosova