Haxhiu: Lufta kundër korrupsionit ka bërë që Kosova të ketë progres në indekset ndërkombëtare

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu mori pjesë në forumin regjional “Lufta kundër Korrupsionit – Ballkani Perëndimor në Fokus.

Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se, Haxhiu ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të mbetet e angazhuar për forcimin e mekanizmave për parandalimin e korrupsionit.

Haxhiu në forumin e sotëm “Lufta kundër Korrupsionit – Ballkani Perëndimor në Fokus”, tha se lufta e pa kompromis kundër korrupsion ka bërë që Kosova të ketë progres në indekset ndërkombëtare antikorrupsion dhe atë të sundimit të ligjit.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër-korrupsion dhe në përmbushjen e zotimeve të tilla që rrjedhin nga Samiti për Demokraci dhe Procesi i Berlinit”, tha ajo

Tutje në njoftim thuhet se Haxhiu gjatë këtij forumi foli edhe për vetingun në drejtësi me ç’rast i njoftoi të pranishmit se koncept-dokumenti bashkë me amendamentet kushtetuese, janë dërguar për opinion në Komisionin e Venecias.

“Përmes vettingut në sistemin e drejtësisë, si Qeveri synojmë që të arrijmë të kemi një sistem të pa korruptuar, me integritet moral e profesional, të drejtë dhe të guximshëm e të pa kompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në të njëjtën kohë, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur Projektligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, nismë kjo e cila do të kontribuojë luftës së përbashkët kundër-korrupsion”, thuhet në njoftim.

Haxhiu përmendi edhe Rregulloren për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit të miratuar nga Qeveria e Kosovës si dhe ka theksuar rëndësinë e miratimit të Projektligjit për Sanksionet e Shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, i njohur si Magnitsky Act./Teve1