Haxhiu: Nisma nuk po reagon për shkak të votave nga Serbia, por se po i rrezikohet kalimi i pragut

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se reagimi i Nismës Socialdemokrate për pranimin e votave të ardhura nga Serbia nuk është për shkak të fenomenit, por për shkak të frikës se s’do ta arrijnë të kalojnë pragun zgjedhor.

Në Interaktiv të KTV-së, Haxhiu ka thënë se kjo parti është dashur të reagonte qysh moti për “kontrabandim të votave”.

Sot Nisma tërhoqi komisionerët e vet kur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve u dërguan votat nga Serbia të ardhura në zarfe. Koalicioni Nisma-AKR-PD, që është në “teh” të pragut zgjedhor prej 5 për qind, e quajti të paligjshëm vendimin për numërim të këtyre votave.

“Veprimet e tyre sot do të doja t’i shihja qysh moti. Kur VV-ja e kundërshtonte Listën Serbe këta bashkëpunonin me ta. Edhe më 2017 ishim i vetmi subjekt që e kundërshtuam sepse gjithmonë vinin ashtu të kontrabanduara, e sot dalin. S’e kanë për Serbinë, por sepse rritet pragu e këta bien më poshtë”, ka thënë ajo.

Edhe Haxhiu ka thënë se votat e ardhura nga Serbia nuk duhet të numërohen, e të lihen jashtë ato të ardhura nga diaspora, që kanë arritur me vonesë edhe pse ishin nisur brenda afateve ligjore.

“Mërgata jonë i ka dorëzuar me afat, por arritën me vonesë për shkak të falimentimit të një kompanie e procedura tjera. Votat e tyre duhet të verifikohen sa më parë. I bëj thirrje KQZ-së që nesër menjëherë të marrin vendim për verifikimin e mërgatës. Këta pranuan votat që kanë ardhur në mënyrë të parregullt”, ka shtuar ajo.

Për procesin e rinumërimit, Haxhiu ka thënë se ka pasur përpjekje të vazhdueshme që Nisma të kalojë pragun.

“Qytetarëve po u duket se po bëhet qëllimshëm, por unë kam vërejtur se ka pasur manipulime të votave të kandidatëve. Kjo s’ka ndodhur në LVV. Kur ka probleme të tilla, ne s’mund të themi që të mos rinumërohen. Për këtë arsye s’e kemi kundërshtuar procesin e rinumërimit. Por, problemet janë të kësaj natyre. Ka pasur një përpjekje të vazhdueshme që Nisma të kalojë pragun, por me zor nuk kalohet pragu, sepse kështu ka menduar qytetari i Kosovës. Kjo ka treguar se është ndëshkuar puna e Nismës. Nuk kanë vendosur rastësisht qytetarët që të mos e votojnë Nismën”, ka shtuar ajo për këtë parti.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, pas numërimit të votave të rregullta, Nisma-AKR-PD kishte 4.96 për qind të votave. Me numërimin e votave të diasporës ky koalicion arriti në 4.99 për qind. KQZ më pas ka vendosur për rinumërimin e më shumë se 830 vendvotimeve. Sipas Nismës, gjatë rinumërimit është dëshmuar se ka pasur keqpërdorim të votave në numërimin e rregullt. Tani ajo thotë se pas rinumërimit të deritashëm ka kaluar pragun.

E pyetur nëse kanë diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm me Nismën, nëse kalon pragun, ajo ka thënë se tash nuk mendojnë për partitë që janë nën prag.

Haxhiu ka përsëritur qëndrimin e Vetëvendosjes kundër bashkëpunimit me Listën Serbe që mori shumicën e votave të komunitetit serb.

Ajo ka thënë se Lista Serbe nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve serbë.

“Besoj që duhet të kemi parasysh që Lista Serbe siç e kemi thënë nuk përfaqëson interesat e qytetarëve serbë. Në mbledhjen e KQZ-së kur u certifikuan partitë, ne kemi kontestuar certifikimin e Listës Serbe për shkak të kundërshtimit që ia bën Kosovës. Ishim të vetëm në atë mbledhje dhe i njëjti subjekt ishte certifikuar. Se çfarë përfaqëson dhe çka po ndodh sot me votat e kontrabanduara, nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve serbë. Madje shumë prej tyre që e kanë votuar e bënë këtë sepse ishin në presion, shantazh e të kërcënuar”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se e kuptojnë dispozitën kushtetuese që kërkon “miratim formal” të përfaqësuesve të minoriteteve në Kuvend për përfaqësuesit e tyre në Qeveri.

“E kuptojmë dispozitën kushtetuese, por kemi thënë se për sa kohë kemi serbë që janë pjesë aktive e politikës, që janë të gatshëm të bashkëpunojnë për arsim, shëndetësi, s’mund t’i anashkalojmë e të dalim te Lista Serbe. Kushtetuta kërkon miratimin formal. Për mua s’është miratim me votë. Për t’u votuar qeveria duhen 61 vota. Kushtetuta thotë duhet të kemi miratim. Duhet të pyesim Listën Serbe formalisht a jeni dakord që ky person të jetë ministër. Pak a shumë kjo është ajo që thuhet në Kushtetutë. Por s’mund të anashkalojmë njerëz si Nenad Rashiq, Slobodan Petroviq për të dalë te dikush që s’e pranon Kosovën. Na duhen 61 vota për të votuar qeverinë. VV dhe LDK i përbëjnë 61, ndoshta edhe më shumë vota të deputetëve. S’varemi nga votat e Listës Serbe. Kur s’varet një qeveri nga kjo listë është lajm shumë pozitiv. S’duhet të kemi bashkëpunim e ky subjekt duhet të defaktorizohet”, ka thënë tutje ajo.