Haxhiu numëron sinjalet nga LDK-ja që pamundësojnë koalicionin me VV-në

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se LDK-ja ka dhënë disa sinjale që nuk po dëshiron koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se zyrtarizimi i Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre dhe përcaktimi i Lutfi Haziri si shef të shtabit zgjedhor, ishin sinjalet që LDK-ja nuk preferon bashkëpunim parazgjedhor me VV-në.

“Mbrëmë çfarë kemi parë ne ishin sinjale të qarta se LDK-ja s’do të bashkëpunojë me VV-në. E para sepse e vendosën kandidatin për kryeministër, a mendoni se ne nuk kemi mundur të formalizojmë Albinin. Koalicioni duhet ta ketë një farë besimi. Jo kështu ‘me ta lëshu’. VV-ja nuk hyn në këso gjëra. Por këta s’e kanë vendos Vjosën për të fituar zgjedhjet. Sepse është e qartë se asnjë kandidat i LDK-së s’është i pari me përkrahje. LDK-ja ishte 31 për qind, për një vit tash është 21. Ka rënë për 10 për qind. E kanë vendosur vetëm për të ndalur rrjedhën e aktivistëve të tyre që po vijnë në VV”, ka thënë ajo si pikë të parë. “E dyta, vendosja e Lutfi Hazirit si shef shtabit. Apo dhënia e pushtetit e brendshëm, personit më anti-VV e pro PDK. E Vjosën e qesin në opinion publik, sepse si Ramushi edhe LDK-ja po ngjason në kopjen tonë. Këto na dhanë sinjale të qarta që s’duan të bashkëpunojnë. Prej 2014-s kur ishim pro bashkëpunimit e kemi pas pengesë kryesore Lutfi Hazirin. Siç po duket ne do të hymë vetëm në zgjedhje. Të premten është afati i fundit. Jam e bindur që VV do të dalë e parë”.

Ajo tutje ka thënë se LDK-ja duhet të përcaktohet a të shkojë kah “poli i PAN-it me paterica dhe korrupsion e gjendjen e deritashme apo në polin e VV-së dhe të zhvillimit e ndryshimit”.

Haxhiu ka thënë se VV-ja e ka konsideruar LDK-në si partner të mundshëm pasi “kemi konsideruar se koalicioni PAN arriti kulmin e skandaleve dhe se ka pas momente të mira në opozitë kur jemi pajtuar për disa çështje”.

Sipas saj, një koalicion VV-LDK për tetë vjet do t’ia pamundësonte ndikimin Listës Serbe në Kosovë.

Ajo po ashtu ka thënë se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, nuk i është përgjigjur propozimeve për një koalicion të VV-së që nga muaji tetor i shkuar. Sipas saj, ka përshtypje se ai as që e ka ndarë letrën e propozimeve të VV-së me të tjerët në LDK dhe se kur “do një koalicion ai duhet të ndërtohet mbi bazën e besimit të ndërsjellë dhe transparencës”.

Haxhiu ka thënë po ashtu se “çdo votë për VV-në çon në bashkëpunim me LDK-në, ndërsa çdo votë për LDK-në çon në skenare të tjera të mundshme”.

“LDK në të kaluarën ka thënë se s’bashkëpunojmë me subjekte të tjera, por ka ndryshuar qëndrime”, ka shtuar ajo, duke theksuar se “megjithatë s’kemi pa partner tjetër pos LDK-së”.

“Edhe ne do të donim të fitonim 50 plus, por kjo është e pamundur për shkak të sistemit. Prandaj kemi zgjedhur ta kemi partner LDK-në e ua kemi bërë bllok të gjitha subjektet tjera. Në anën tjetër ai ka takuar edhe përfaqësues të Nismës”, ka thënë tutje Haxhiu.

Haxhiu tutje ka shtuar se tashmë gjendja për koalicion është e pamundshme dhe se partitë do të hynë të vetme në zgjedhje.