Bajrami: Serbët tentojnë ta krijojnë entitetin territorial

Ngjarjet që po ndodhin tani po shohim një strategji të re të Serbisë për të provokuar institucionet e Kosovës, për ta defunksionalizuar Kosovën dhe për të përdorur serbët në veri të Kosovës për qëllime politike. Kështu deklaroi profesori universitar Arsim Bajrami.

“Ky është provokim i radhës i dirigjuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur dihen takimet e tij të gjata, që kurrë deri më tani nuk ka pasur me përfaqësuesit serbë të Kosovës, në momente më kritike kur përqendrimi i Bashkësisë Ndërkombëtare ka qenë i intensifikuar, kur SHBA dhe BE kanë qenë më të bashkuar se kurrë më parë për të gjetur një zgjidhje finale”, deklaroi Arsim Bajrami.

Sipas tij, provokimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës kanë filluar që nga dita kur është shpallur Pavarësia e Kosovës, por kësaj radhe, me vetë faktin që kanë detyruar të tërhiqen nga institucionet shtetërore të Kosovës, duket se kanë synimin e krijimit të një realiteti të ri në terren për të krijuar qoftë asociacionin, qoftë për ta krijuar një entitet në Kosovë që, siç e vlerësoi profesor Bajrami, është provokim i madh.

“Ne duhet ta marrim seriozisht këtë provokim që të kemi një strategji të qartë shtetërore, strategji dalëse, në mënyrë që të tregojmë fuqinë, vendosmërinë e shtetit, që të mbrojë interesat vitale të Republikës së Kosovës, për të parandaluar të gjitha projektet si i këtij lloji dhe, në anën tjetër, që me anë të mjeteve të shtetit ligjor, të elementeve kushtetuese, të ruajmë funksionalitetin e shtetit që të mos krijojmë vakum shtetëror institucional”, deklaroi Bajrami.

Ai, mes tjerash, theksoi së përfaqësuesit tanë duhet të jenë proaktivë me ndërkombëtarët, për t’i bindur se jemi seriozë drejt gjetjes së një zgjidhjeje finale në mes të Kosovës e Serbisë.

Sipas profesor Bajramit, arkitekt i këtij lloj komploti është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si përpjekje për të kundërshtuar planin franko-gjerman.

“Me këtë akt të bojkotit total, serbët tentojnë ta krijojnë entitet territorial serb, që mund të ketë emra të ndryshëm: qoftë asociacion, qoftë diçka tjetër, që, në fakt, është ambicie për shkatërrimin e karakterit unitar të shtetit dhe krijimin e një autonomie politiko-territoriale, që rrezikon tërësisht shtetësinë e Kosovës”, theksoi, ndër të tjera, profesor Bajrami.

Ai më tej shtoi se partitë politike duhet të shpallin një moratorium ndaj luftës politike ndaj njëri-tjetrit, sipas tij me kohëzgjatje një ose dy muaj, që sipas tij është një pjekuri shtetërore duke propozuar “që të mbyllen në Kuvendin e Kosovës, qoftë e nevojshme edhe në seancë të mbyllur e të dizajnojnë një përgjigje shtetërore, shtet-formuese, shtet-mbrojtëse karshi këtij provokimi”./RTK