Hazard lojtari më i mirë në Ligën e Evropës

Eden Hazard është shpërblyer me çmimin për lojtarin më të mirë të sezonit 2018/19 të Ligës së Evropës, gjatë ceremonisë së shortit për fazën e grupeve të edicionit të ri të kësaj gare.

Tani në Monaco është duke u mbajtur shorti për fazën e grupeve të Ligës së Evropës 2019/20. Edhe pse tani Eden Hazardi s’merr pjesë në këtë garë, ai e mori një lajm të mirë nga atje.

Futbollisti belg u shpërblye me çmimin për lojtarin më të mirë të edicionit të kaluar të kësaj gare, pasi paraqitjet e tij i ndihmuan Chelseat ta fitojë trofeun e kësaj gare.

Hazardi luajti në gjithsej tetë ndeshje të sezonit të kaluar të Ligës së Evropës, në katër prej të cilave ishte titullar.

Megjithatë ai u shpërblye me këtë çmim pasi që në këto pak ndeshje të zhvilluara, arriti t’i shënojë dy gola të rëndësishëm për ish-klubin e tij.

Pas finales kundër Arsenalit, Eden Hazardi e bëri një hap të rëndësishëm në karrierën e vet pasi që u transferua në Real Madrid.