Ballkani në prag të ndeshjes me Slavia Pragën: Na duhet përkrahja e të gjithëve

Ballkani do ta zhvillojë këtë javë ndeshjen më të rëndësishme në histori të klubit.

Skuadra e Ilir Dajës do të përballet me Slavia Pragën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të enjten.

Ndeshja në fjalë i takon fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

Ballkani hyn në këtë ndeshje pas humbjes së hidhur 1:2 nga Sivasspori më 13 tetor.

Ballkani ka dalë me një thirrje në faqen zyrtare të klubit duke ftuar tifozët të mbushin stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen me Slavia Prahën.

Kampioni i Kosovës luan si vendas të enjten kundër ekipit çek në kuadër të rrethit të pestë në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.

Tani që biletat kanë dalur në shitje, Ballkani ka kërkuar që të gjithë të jenë në përkrahje të tyre në shkallët e stadiumit në kryeqytet.

“Historia vazhdon. Na duhet përkrahja e të gjithëve, andaj të gjithë të enjten për Ballkanin në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruhet në postimin e Ballkanit.

Ndryshe, pas katër ndeshjeve, Ballkani ndodhet në vendin e fundit me katër pikë, tre më pak se lideri, Sivasspori.