Haziri: Do të shkoj me 15 mars në takim me Kurtin e Osmanin

Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se nëse zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti e Vjosa Osmani.

Ai këtë konfirmim e dha në emisionin “Politiko” në Kanal 10 kur u pyet nga drejtori i Gazetës Online “Reporteri.net”, Bekim Kabashi.

Haziri tha se partia e tij nuk e ka kulturë të refuzojë takimet që kanë të bëjnë institucionet e shtetit, anipse kandidati tjetër, Lumir Abdixhiku tha se ‘nuk do të shkojnë turrë e vrapë’.

Haziri thotë se nëse ai zgjidhet kryetar i partisë, dhe kuvendi i LDK-së ia jep atij mandatin të negociojë, ai do të shkojë në takim dhe do të negociojë për interesat e partisë.

“Lideri u LDK-së i cili zgjedhet me pyet kuvendin e vet lidhur me veprimet politike se a don LDK me ja dhënë rolin e opozitës se fortë, se çfarë roli do të ketë si opozitë sa i përket ligjeve dhe me atë mandate shkoj në çdo takim, nuk frikësohem sepse përfaqësoj interesin e LDK-së. LDK-ja nuk e ka kulturën e refuzimit, rivalët politikë janë rivalë politikë, dallohemi si nata me ditën. por me atë që quhet institucion, që quhet stabilitet, unë besoj që roli i LDK’së ka me qenë me konstruktivitet, gardian i shteti dhe i demokracisë. Atë që une e quaj dialog i brendshëm, që na ka munguar shumë nuk guxon me u leju me u bë pjesë e kulturës sonë.”, tha Haziri.

Haziri gjithashtu është pyetur edhe nëse do të qëndrojnë në sallë kur të bëhet votimi për Vjosa Osmanin si presidente.

“Gjithçka do të varet nga takimi i së hënës”, tha Haziri.