Haziri: Në Kosovë fitoi opozita, jo individi

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se në Kosovë ka fituar opozita dhe jo individi apo ndonjë grupim politik. Ai shtoi se qytetarët votuan për ndryshim duke i besuar partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Haziri shtoi se LDK ka vendosur standardin që cilado që e ka një votë më shumë prej dy partive të para, ajo e udhëheq qeverinë.

Postimi i plotë i Lutfi Hazirit:

“Në Kosovë ka fituar opozita, jo individi e as grupi politik. Nëse e bëjmë një përkufizim, i bie që qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshim dhe ia kanë besu LDK’së dhe LVV’së këtë rezultat.

Fitues të vegjël janë LDK dhe LVV. Ne po e presim rezultatin final të zgjedhjeve sepse votat nuk janë numëruar deri në fund.

Cilado parti që del fituese, duhet të sillen përgjegjshëm dhe kokëulur karshi këtij rezultati sepse njerëzit kanë votuar për ndryshim. Nuk kanë votuar as për individin e as për partinë politike. Na ka rastisë që jemi kamp opozitar dhe besimi është në subjektet tona politike.

LDK ka vendosur standardin, cilido që e ka një votë më shumë, ai e udhëheq qeverinë!”