Presidenti Thaçi: Punoj dhe mendoj për përfshirjen e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur edhe njëherë për idenë e tij për ndryshim të kufijve.
“Punoj dhe mendoj se do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës duke mos i cenuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës, as Trepçën dhe as hapësirat e tjera”, ka thënë Thaçi.
E kur është pyetur nëse komunat në veri të populluara me serbë mund t’i kalojnë Serbisë, ai ka thënë se “nuk mund të përgjigjet për diçka që nuk është kërkuar”.
“Dhe nuk mund të përgjigjem në diçka që mund të shtrojë si çështje Serbia, por mund të konfirmoj se askush nuk ka hedhur në tavolinë hartat. Por ajo që mund të them përsëri është se marrëveshja do të arrihet ndërmjet dy vendeve sovrane me njohje reciproke”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, lidhur me taksën, ai ka thënë se pret që ekzekutivi të gjejë mënyrë për të larguar taksën ndaj Serbisë, për t’i dhënë mundësi dialogut. Ai ka thënë se nuk pajtohet në asnjë rrethanë me kushtëzimin e Serbisë për dialog.
“Por e kemi këtë realitet të tarifës dhe kushtëzimin nga Serbia,prandaj duhet të manovrojmë për të gjetur një zgjidhje kreative në mënyrë që t’i hapet mundësia vazhdimit të dialogut”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se nga ekzekutivi pret “maturi, veprime të interesit gjithëpërfshirës, të interesit lokal, por edhe të interesit të investimeve strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s”.
“Nuk mund te kemi sukses të vetmuar në asnjë proces. Është një Amerikë, nuk janë disa. Ne bashkë kemi fituar lirinë dhe pavarësinë dhe SHBA-të ishin të vetmet që na mbështetën për themelimin e ushtrisë, prandaj është e njëjta Amerikë dhe duhet të kemi parasysh se veprime të mëtutjeshme do të jenë të koordinuara mes institucioneve të vendit, megjithëse pushtetet janë të ndara, por duhet të shikojmë më tepër në interesin strategjik sesa në interesin politik ditor”, ka thënë Thaçi.