Haziri: Pasi ta zgjedhim Kryetarin e LDK-së, PAN-it ia tregojmë vendin

Lutfi Haziri, ia ka fituar dy herë radhazi Gjilanin LDK’së, ndërkohë në zgjedhjet e brendshme partiake, që pritet të mbahen gjatë këtij viti, ai do të synojë të marrë postin e të parit të partisë.

Në një intervistë për Gazetën Express, Haziri ka folur për temat aktuale politike, që nga rrahjet brenda strukturave të partisë së tij, keqqeverisja e deri tek paqartësia e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket rrëzimit të Qeverisë, Haziri thotë se ende vlenë oferta e bërë me 24 maj të vitit të kaluar për një marrëveshje të të gjitha partive politike, për ta caktuar një datë që do t’iu konvenonte të gjithëve, megjithatë thotë se mocioni për rrëzimin e Haradinajt është i pashmangshëm dhe se pas zgjedhjeve të brendshme në LDK, do t’ia tregojnë vendin PAN’it.

Ai thotë se përgjegjësia për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës përgjatë kësaj qeverisje të PDK’së-, AAK-së dhe NISMA’së, i faturohet Kadri Veselit si kryetar i këtij koalicioni.