Hekuran Murati “shtyhet” me perëndimin: Pas rritjes së çmimeve, Qeveria i ndihmoi popullit si Franca e Austria

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në mungesë të lëvdatave nga qytetarët për Qeverinë, ka vendosur të vetëlavdërohet. Kështu, ai po pretendon se Kosova krahasohet edhe me Francën e Austrinë për mbështetjen ekonomike që ia ka dhënë popullit.

Nuk dihet se ku është bazuar Murati për këtë deklaratë, pasi që qytetarëve nuk u është ofruar kurrfarë ndihme për rritjen e çmimeve, derisa ajo për subvencionimin e energjisë është shumë simbolike.

“Në total, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve kemi ndarë rreth 190 milionë euro, vetëm në 4 muajt e fundit. Dhe do të vazhdojmë mbështetjen ndaj qytetarëve sepse kjo qeveri është në anën e qytetarëve. Madje, me nivelin e mbështetjes mund të krahasohemi edhe me shtete shumë më të forta ekonomikisht si Franca e Austria”, ka thënë ministri Murati.

Vlen të përmendet se Austria jo më larg se një javë u bëri thirrje qytetarëve që të mos i ndalin burimet me të cilat ngrohen, pasi që atyre do u paguhen shpenzimet nga shteti.

Ndërkaq, për të frenuar dëmin nga rritja e çmimit të energjisë, Qeveria e Italisë sapo miratoi një paketë plot 6 miliardë euro si ndihmë për konsumatorët.

Kryeministri Mario Draghi në një konferencë për mediat theksoi se Qeveria kishte gjetur gjithashtu burime për të ndihmuar sektorë të prodhimit që gjenden në vështirësi.

Në masë të madhe, qytetarët e Kosovës janë shprehur të revoltuar me rritjen e çmimeve, derisa shumë prej tyre i kanë publikuar edhe faturat e rrymës që u kanë ardhur më shtrenjtë këtë muaj.