Helikopterët e KFOR-it mbrëmë fluturuan mbi veriun e Kosovës, Grasso: Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar

Mbrëmë u raportua se helikopterët e KFOR-it kanë fluturuar mbi veriun  e Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i KFOR-it, kolonel Vincenzo Grasso i cili u shpreh se situata e sigurisë në Kosovë, është e qetë dhe nën kontroll dhe se nuk ka asnjë arsye për t’u frikësuar nga fluturimi në mbrëmje i helikopterit të KFOR-it mbi veriun e Kosovës, në territorin e komunës së Zveçanit dhe një pjesë të territorit të Zubin Potokut.

Graso tha për gazetën serbe Politika se në katër komunat serbe në veri, sipas vlerësimeve të KFORI-it, nuk ka rrezik të krizës humanitare dhe shtoi se një retorikë e tillë nuk ndihmon në normalizimin e jetës së njerëzve.

“Fluturimi i natës i helikopterit ishte trajnim i zakonshëm i ekuipazhit të ri, sepse po kryhej ndërrimi. Nuk ka arsye të frikësohemi”, u shpreh Graso.

Ai pohon se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe nën kontroll.

“Asgjë e papritur nuk mund të ndodhë dhe KFOR-i vazhdon të ruajë marrëdhëniet dhe komunikimin me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe Serbi”, tha zëdhënësi i KFOR-it.