U raportua se janë kthyer eshtrat e Ukshin Hoti, ja çfarë thotë djali i tij

Albanian Post [AP] raportoi sot nga burimet e saj në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar se ishin gjetur eshtrat e Ukshin Hotit dhe do të ktheheshin në Kosovë. Por, i biri i tij Andin Hoti, ka deklaruar që ky ishte një lajm i rrejshëm.

Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka thënë se lajmi është tërësisht i pavërtete.

“Nuk ka asgjë të vërtete prej asaj që shkruan në atë portal është ose keqkuptim ose tendencioz dhe kjo e dyta po me duket më shumë”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se ata ndoshta kanë mund t’i referohen një rasti tjetër pasi këtë javë do të riatdhesojnë 7 trupa dhe të gjithë janë të masakrës së Rezallës dhe se nuk ka të bëjë asgjë më babain e tij.

Ukshin Hoti është i zhdukur tash e më shumë se dy dekada. Hoti vlerësohet ndër intelektualët më të mëdhenj të kombit shqiptar.