Heqja e urdhërarrestit për Radoiçiqin/ Ish-drejtori i Policisë: Deklarata e Kryeprokurorit befasuese

Millan Radoiçiqit i ishte hequr urdhërarresti që e kishte para tri viteve.

Kjo ndodhi me pëlqimin e Kryeprokurorit Blerim Isufaj.

Ky i fundit sot e pranoi duke thënë që nuk mund t’i tregoj arsyet.

Megjithatë, ai ka thënë se urdhërarresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet.

Në lidhje me këtë ka folur për Front Online, ish-drejtori i policisë, Rashit Qalaj.

Ai shprehet i befasuar me deklaratën e kryeprokurorit Isufaj.

Qalaj thotë se në kohën sa ishte drejtor ka pasur urdhërarrest, madje edhe i është bastisur shtëpia Radoiçiqit.

“Me thënë të drejtën për mua është befasi deklarata e kryeprokurorit, për shkak që ne e dimë që ka pas urdhërarrest. Në kohën kur unë kam qenë në krye te policisë atij i është bastisur shtëpia dhe para se me iu bastis ka pasur shkrepje të armëve, ka pas shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës dhe njerëzve të Milan Radoiciqit”, u shpreh ai pwr Front Online.

Ish-drejtori dhe deputeti Qalaj tha se çdo person që kërcënon sigurinë në vend duhet të dalë para drejtësisë.

“Çdo person i cili me veprimet e tij me dashje, apo me çfarëdo mënyrë tjetër e kërcënon sigurinë e Kosovës ai duhet gjithsesi të dalë para organeve të drejtësisë, dhe të marr dënimin e merituar. Në asnjë mënyrë nuk duhet që personat e tillë të mos përgjigjen për veprimet që kanë bërë”, deklaroi ai.

Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radocicit ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021. Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radoiçiç ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.