Hoti: Burim infektimi ishte gastronomia, krahas mbylljes së çerdheve njëri prind lirohet nga puna

Kryeministri Avdullah Hoti ka folur për situatën aktuale me Covid-19 në vend. Thotë se po bëjnë gjithçka që kanë në dorë në mënyrë që të menaxhojnë situatën në mënyrën më të mirë.

Thotë se kanë tentuar që të zbatojnë protokollet e rekomanduara nga OBSH dhe institucionet e tjera shëndetësore në vend. Por ai përmendi edhe qeverinë paraprake, pasi sipas tij, pas karantinës, hapja ndodhi shpejt.

“Hapja ndodhi 2 javë më përpara se sa është dashur. Kështu e gjetëm dhe u munduam që t’i zbatojmë protokollet e zbatuara nga OBSH”, tha Hoti në Pressing, derisa sipas tij, edhe qytetarët nuk respektuan rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ndërkohë ka shpjeguar se u detyruan të marrin veprime më ‘ekstreme’ pasi numri i të infektuarve u rrit.

“Me rritjen e numrit na u dashtë që të merrnim veprime më ekstreme që i kanë marrë edhe vendet e tjera. 1 valë e dytë e Covidit po duket në horizont dhe ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që të menaxhojmë këtë situatë. E kemi riorganizuar QKUK’në e spitalet regjionale..”, shpjegoi ai.

Ndërkohë Hoti ka treguar se pse u bë mbyllja e pjesshme e gastronomisë. Sipas tij, nga historia e treguar prej të infektuarve, ka dalë që shumica e të prekurve me Covid-19, kishin burimin në ndejat e organizuara.

“Burim infektimi është kryesisht gastronomia”, tha ai.

Ndërkohë ai tha se vendimi për mbylljen erdhi bashkë me lirimin nga puna të njërit prind.