Ngadhnjim Kastrati shkarkohet nga pozita e drejtorit të RTK-së

Ngadhnjim Kastrati është shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm në Radio Televizionin e Kosovës.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se për këtë është njoftuar nga anëtarët e bordit të RTK-së, që sipas tij, janë të emëruar nga politika.

“Njoftimin për shkarkim e morra në shtëpi, ku jam prej disa ditësh në izolim si rezultat i infektimit me COVID-19. Përveç tjerash unë as nuk jam njoftuar për ndonjë procedurë të shkarkimit dhe as nuk ka pasur në rend të ditës pikë për shkarkimin tim”,ka thënë Kastrati.

Tutje, ai ka theksuar “Që nga ardhja e anëtarëve të Bordit të ri të qeverisë Kurti, jam ballafaquar me shantazhe e presion të tyre për t’i larguar qindra punëtorë nga puna, në këmbim të vazhdimit të punës sime në këtë pozitë deri në fund të mandatit në prill 2022”.

“Por, unë ju kam thënë qartë anëtarëve politik të këtij bordi se unë nuk e largoj asnjë person nga puna. Arsyeja është e thjeshtë, ata punojnë prej shumë vitesh dhe janë të nevojshëm, ndërsa me ato paga mbajnë familjet e tyre, e që është mjaft e vështirë në këtë situatë të rëndë ekonomike”.