Hoti pas takimit me Lajçak: Jemi të gatshëm për rifillimin e dialogut

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti pas takimit me Mirosllav Lajçak tha se janë të gatshëm të hyjnë në procesin e dialogut, pasi që konsiderojnë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë është e rëndësishme për të gjithë rajonin dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian.

“Kam pasur disa diskutime para vizitës në Prishtinë, edhe sot e informova për qasjen tonë karshi procesit të dialogut, për një dialog qe përfundimisht e mbyll marrëveshjen dhe çështjet e hapura qe i kemi me shtetin fqinjë, për një dialog që i hap Kosovës perspektivën euroatlantike. I shfaqa gjithë interesimin tonë, gatishmërinë për të hy në këtë proces, jemi të përgatitur. Pres që në fund të vizitës së tij të takohemi përsëri”, tha Hoti.

Ndërsa i deleguari i BE-së për dialogun tha se rruga e Kosovës në Bashkimin Evropian shkon përmes lehtësimit të marrëdhënieve me Serbinë. Andaj shtoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm dhe ka vullnetin të ndihmojë për të ardhmen e Kosovës.

“Ky dialog i lehtësuar nga BE është duke hyrë në vitin e 10 dhe mbështetet me rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe tashmë ka sjellë rezultate reale dhe pa dialog të lehtësuar nga BE-ja kjo nuk do të ishte e mundur. Rruga e Kosovës në Bashkimin Evropian shkon përmes lehtësimit të marrëdhënieve me Serbinë. Bashkimi Evropian është i gatshëm dhe ka vullnetin të ndihmojë për të ardhmen e Kosovës”, tha ai.