Hoti për Asociacionin: Kam frikë se varianti i ri, do të jetë më i keq sesa ai që do të mund të miratohej para 24 shtatorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë pas ardhjes nga Brukseli në një konferencë për media të vetmin detaj që e ka zbuluar sa i draftit të statutit të Asociacionit ka thënë se i njëjti do t’i nënshtrohet shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese.

Lidhur me këtë, profesori i shkencave politike Afrim Hoti, në një intervistë për Front Online , ka deklaruar se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Sipas tij, këtë po e kërkojnë edhe partnerët tonë strategjikë.

Por, shton se rrjedha e ngjarjeve të 24 shtatorit faktikisht ka thellu hendekun mes të dy etniteteve pra të shqiptarëve dhe të serbëve dhe kjo kam përshtypjen sikur do të ndikojë në thellimin e kompetencave që Asociacioni duhet të ketë në të ardhmen.

“Unë nuk jam në dijeni për draftin sepse nuk e kam pa draftin që e ka prezantuar pesëshja, por logjikisht nëse fillon lufta dhe fillojnë vrasjet në mes të dyja grupeve atëherë praktikisht ne problemin e rrisim dhe në këtë drejtim 24 shtatori vetëm se ka thelluar këtë problem, dhe unë frikësohem që varianti që do të miratohet do të jetë më i keq se sa ai që do të mund të miratohej para 24 shtatorit”, ka deklaruar profesori Hoti për Front Online.