Hoti: Qeveria Kurti pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe shkrimin e ligjeve

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë një postim lidhur me borxhin shtetëror të Kosovës gjatë Qeverisjes Kurti.

Hoti ka thënë se asnjëri nga tre indikatorët kryesorë të borxhit shtetëror nuk është përmirësuar gjatë qeverisjes aktuale.

Sipas tij, Qeveria aktuale, pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve.

“Si parim, borxhi shtetëror merret për projekte kapitale që përdoren për dekada dhe kthehet nga përfitimet që vijnë nga shfrytëzimi i atyre projekte. Por qeveria aktuale, pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve. Kjo është në kundërshtim me parimet e financave publike. Kjo tregon mungesën e strategjisë kombëtare që përcakton dy çështjet kryesore të borxhit shtetëror: (i) kur merret borxhi shtetëror dhe në çfarë shume dhe (ii) cilat janë projektet që financohen me borxh shtetëror”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se edhe disbursimi i mjeteve nga marrëveshjet e borxhit gjatë kësaj qeverie ka qenë shumë jo efektiv.