Hoti: Qeveria po shqyrton masat e reja për situatën me COVID-19

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti ka vizituar sot Forcën e Sigurisë së Kosovës së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka vizituar sot Forcën e Sigurisë së Kosovës bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Gjatë kësaj vizite ndër të tjerash Hoti deklaroi se nuk është njeri ushtarak, por që është impresionuar me disiplinën ushtarake.

“Inspektuam spitalin ushtarak për të parë kapacitetet që FSK do t’i vëmë në dispozicion në rast se do të kemi nevojë t’i përdorim. Unë nuk jam njeri ushtarak, po jam impresionu dhe emocionu me disiplinën ushtarake. Do të punojmë së bashku me stafin për të përballuar situatën nëpër të cilën po kalojmë. I falënderova për mbështetjen që e ka dhënë FSK’ja për institucionet tjera që tash po duket se po përkeqësohet dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që i kemi përpara”, ka thënë kryeministri.

Hoti iu është përgjigjur edhe kritikave që ka dhënë kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj lidhur me kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Në qeveri jemi duke shqyrtuar një varg të masave, tash nga kjo ngjarje do të kemi një konsultim me kabinetin qeveritar. Unë e kam thënë gjithmonë do t’i plotësojmë rekomandimet që na vijnë nga profesionistët në përputhje me situatën. Do të bëjmë konsultime me partnerët dhe akterët tjerë. Po mundohemi edhe me gastronomët t’i harmonizojmë qëndrimet. Fjalën e fundit e japin profesionistët”, ka shtuar ai, derisa ka folur edhe për antarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Çdo anëtarësim i Kosovës në organizata ndërkombëtare bëhet në koordinim me partnerët, ne jemi dakordu që në këtë proces të rrugëtojmë bashkë”, ka thënë Hoti.