Hoti: Sakrifica e Jasharajve e përmasave historike

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, bashkë me disa nga anëtarët e kabinetit të tij, kanë nderuar veprën dhe sakrificën e dëshmorëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Hoti para mediave tha se të bëmat e kësaj familje janë të përmasave historike.

“Erdhëm për të treguar respektin tonë, të Qeverisë, të krejt qytetarëve dhe kombit shqiptar për sakrificën e jashtëzakonshme të kësaj familje që është e përmasave historike dhe jam i bindur se tejkalon çfarëdo sakrifice që mund të bëjë dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit”.

Hoti falënderoi për prezencën edhe kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin.

Bashkë me të homazhe bënë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni dhe ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi.

Përveç udhëheqësve shtetërorë, në Ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së homazhe bënë edhe shoqata të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.