Hoti thotë se nuk ka përçarje brenda koalicionit: Dialogu përfundon me njohje reciproke nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka siguruar qytetarët se nuk ekziston ndonjë përçarje në mes të partnerëve të koalicionit, madje thotë se fokusi kryesore tani i Qeverisë është tek pandemia dhe dialogu me Serbinë.

Hoti ka komentuar deklaratat e kryetarit të AAK’së, Ramush Haradinaj i cili tha se nëse kryeministri vazhdon me këtë qasje ata do të dalin nga koalicioni.

Kryeministri ka deklaruar se Haradinaj nuk duhet ta sheh të nevojshme të ndodhë një gjë e tillë dhe se koalicioni nuk ka përçarje.

I pari i ekzekutivit është shprehur i bindur se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke dhe se për këtë është duke u kujdesur intensivisht.

“Dialogu po shkon përpara në përputhje me platformën e Qeverisë. Dje kam informuar edhe kuvendin dhe për mendimin tim qëndrimi i përgjithshëm ishte që dialogu nuk ka alternativë por dialogu duhet të jetë i fokusuar ashtu siç po bëjmë ne, në marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke….Jo absolutisht nuk ka nevojë sepse unë jam duke u kujdesur që ky dialog të përfundoj me njohje reciproke”, ka thënë Hoti.

Kujtojmë se Hoti ka emëruar si Koordinator Shtetëror për Dialogun me Serbinë, Skender Hysenin, e kjo ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek AAK, pasi ky veprim i Hoti nuk ishte paralajmëruar për partnerët e koalicionit, shkruan Gazeta Metro.

Ishte kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj i cili paralajmëroi kryeministrin Hoti se mund ta prishë koalicionin nëse ky i fundit vazhdon kështu duke mos u treguar e barabartë me partitë në koalicion dhe duke marrë veprime kokë në vete.