Hovenier: Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive

Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është obligim që Kosova duhet ta përmbushë, por duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016 dhe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, ka deklaruar ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe shtoi se do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Kosovës, për të propozuar një “vizion të besueshëm”.

Komuniteti serb në Kosovë është një “pjesë thelbësore, integrale e Kosovës” dhe serbët në Veri, si dhe në pjesë të tjera të Kosovës, do të mbeten prioritet i lartë për Shtetet e Bashkuara, tha Hovenier, transmeton FrontOnline.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Kosovën si një vend sovran dhe të pavarur dhe kjo mbështetje bazohet në të kuptuarit se do të ishte demokratike dhe multietnike, dhe me kalimin e viteve kemi investuar shumë përpjekje për të përmirësuar karakterin multietnik të vendit, tha ambasadori amerikan.

Hovenier theksoi se është e nevojshme t’i përgjigjemi shqetësimeve të komunitetit serb.

Ne dëshirojmë që komuniteti serb në Kosovë të jetojë i sigurt dhe me dinjitet dhe besojmë se duhet të pajtohen dhe të pranojnë faktin që jetojnë në Kosovë. Ne nuk e shohim Kosovën si pjesë të Serbisë dhe e dimë se ku është kufiri ndërkombëtar mes dy vendeve. Nga perspektiva amerikane, janë dy vende në fjalë, tha Hovenier.

Ai theksoi se që nga Marti Ahtisaari dihej se janë të nevojshme aranzhime të veçanta për komunitetin serb dhe saktësoi se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016 dhe pa kompetenca ekzekutive.

Ne refuzojmë çdo përpjekje për të sugjeruar se ajo duhet të ketë fuqi ekzekutive dhe mendoj se e kemi bërë mjaft të qartë pozicionin tonë në artikullin e 30 janarit, shkruar nga Derek Cholet dhe Gabriel Escobar, tha Hovenier.