Presidenti ende nuk ka konfirmuar se a do ta pranojë në takim Lajçakun

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak pritet që nesër ta vizitojë Kosovën, ku do të takohet me përfaqësuesit e vendit.

Një kërkesë për takim, përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, Lajçak e ka drejtuar edhe në Zyrën e Presidentit, mirëpo kjo e fundit ende nuk ka dhënë ndonjë konfirmim se a do ta pranojë presidenti Thaçi në takim të dërguarin e BE-së apo jo.

Presidenti Thaçi ka qenë i zëshëm kundër emërimit të Lajcak në këtë pozicion, për shkak të qëndrimeve të këtij të fundit kundër pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të vendit tonë në organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq, gjatë një konference për media që mbajti sot, Presidenti i Kosovës tha se mision i Lajçak duhet të jetë njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe theksoi se çdo drejtim tjetër i këtij procesi do të jetë i dështuar.