Hoxhaj: Fajtorët për rastin e Ivanoviçit fshihen në Beograd

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq lidhur me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç. Ai ka thënë se fajtorët për rastin e Ivanoviçit fshihen në Beograd.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Hoxhaj ka thënë se përpjekjet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për ta penguar drejtësinë në zbardhjen e rastit të vrasjes së politikanit nga Kosova, Oliver Ivanoviç, po vazhdojnë.

Sipas zëvendëskryeministrit Hoxhaj, minimi i procesit në vazhdimësi përmes akuzave të pamatura ka për qëllim mbrojtjen e përgjegjësve për këtë krim, të cilët po fshihen në Beograd.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq vazhdon përpjekjet e tij për ta penguar drejtësinë dhe për të ndërhyrë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviçit. Minimi i një procesi i cili është në zhvillim e sipër, përmes akuzave të pamatura tenton t’i mbrojë përgjegjësit për këtë krim, të cilët janë duke u fshehur në Beograd”, ka shkruar Hoxhaj.

Ndaj deklaratave të Vuçiq ku përmend emra konkret si gjoja fajtorë për rastin, ka reaguar edhe vëllai i Oliver Ivanovicit, duke thënë se të këtilla deklarata po e dëmtojnë procesin.