Hoxhaj: Kosova në qeverisjen e Albin Kurtit nuk ka as politikë të jashtme, as ministri dhe as diplomaci

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës , Enver Hoxhaj ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit se nuk mori asnjë njohje gjatë këtyre viteve të qeverisjes. Hoxhaj ka thënë se Kosova nuk ka as politikë të jashtme, as ministri e as diplomaci.

Tutje ish ministri i punëve të jashtme tha se diplomacia është kthyer në një instrument të krijimit të degëve partiake në diasporë sot.

“Në qeverisjen e Albin Kurtit, Kosova nuk e mori asnjë njohje dhe sot Kosova nuk ka as politikë të jashtme, as ministri dhe as diplomaci! Këtë muaj ishte përvjetori i njohjes së Singaporit, ku kjo njohje është marr falë një politike të jashtme të suksesshme të Kosovës, pas disa vizitave në Singapor dhe duke ndjekur hap pas hapi, sikurse tregon ky dokument i komunikimit diplomatik të vitit 2016 në mes të MPJ-së së Singaporit dhe Kosovës! Diplomacia e Kosovës është kthyer në një instrument të krijimit të degëve partiake në diasporë sot!”, thuhet në postimin e tij në “Facebook”.