Hoxhaj: Mendoja që Kurti di mirë elektroteknikën, por e zuri rryma kur nisi bashkëpunimin me Grenellin

342

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, gjatë një takimi me disa studentë në Prishtinë, ku ka shpalosur programin zgjedhor për studentët dhe arsimin, ka thënë disa fjalë edhe për Albin Kurtin dhe raportet e tij më Amerikën.

Hoxhaj, ka thënë se kur Albin Kurti u bë kryeministër, kishte folur vetëm për një tel të bakrit, se si bëhet lidhja e tij, duke thënë se Kurti për pak i djegu raportet e Kosovës me Amerikën në momentin që nisi të bashkëpunojë me ta.

“Prapë po i them, dil matu. Kur u bë kryeministër, se unë dhe Albini e kemi një dallim, unë jam profesor i shkencave politike, ai ka studiuar elektroteknikë, krejt në rregull është. Por, kur u bë kryeministër ju kujtohet pat fol gjysmë ore për një farë teli të bakrit qysh lidhet teli i bakrit. Unë kam pasur përshtypjen që si njeri që vjen prej elektroteknikës të paktën dinë të lidh rrymën mirë, po në momentin që ja nisi të bashkëpunojë me Amerikën e zuri rryma me Grenellin dhe me Amerikën”, ka thënë ai.

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka shtuar se Albin Kurti nuk ka ide për elektro-teknikë edhe pse ka studiuar atë drejtim, e as nuk ka lidhje me politikë.

“Prandaj, ai nuk ka ide as për elektro-teknikë, as nuk ka lidhje me politikë, mundet me fol vetëm për tela të bakrit, e mund ta zë edhe rryma”, tha ai.