Hoxhaj: Sa më shumë që shtyhet marrëveshja finale aq më shumë favorizohet Serbia

Sipas Hoxhajt, kryeministri Kurti sa më shumë që e shtyn arritjen e marrëveshjes finale, aq më shumë e favorizon Serbinë.

“Sa më shumë që e shtyn arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellët, aq më shumë e favorizon Serbinë dhe e dëmton Kosovës, se ende ka një mundësi dhe vëmendje ndërkombëtare për një gjë të tillë”, potencoi Hoxhaj për “Front Online”.

Hoxhaj që aktualisht është deputet i PDK-së, vlerësoi se dialogu deri tani është dialog pa parime e pa platformë.

“Dialogu është më shumë një qasje krijo probleme të vogla, merre vëmendje të madhe vendore dhe ndërkombëtare, duke lënë përshtypjen qe gjoja po i zgjidh ato me bilancin: merru me problemet që krijon dhe zhvendose vëmendje nga temat e madhe ekonomike dhe energjetike të cilat kanë kapluar vendin”, tha Hoxhaj për Front Online.

Qeveria e Kosovës e shtyu për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të automjeteve të Serbisë, me kusht që të hiqen barrikadat nga rrugët në veriun e Kosovës.

Këtë vendim, qeveria e Kosovës e mori pak para mesnatës së 31 korrikut, pas kërkesës së SHBA-së. Këtë kërkesë e ka formuluar ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas takimit me të gjithë udhëheqësit më të lartë të Kosovës.