Liburn Aliu thotë se ishte në dijeni se do të publikohej afera korruptive: Të gjithë prisnin arrestimin tim

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur lidhur me aferën korruptive të publikuar nga Nacionale, në të cilën dyshohet se është përfshirë këshilltari i tij, Florent Ramqaj.

Aliu në Pressing ka deklaruar se që nga paralajmërimi lidhur me publikimin e një afere korruptive, ka qenë në dijeni se raportimi lidhej me kabinetin e tij.

“Te kjo e fundit, fillimisht ndërtohet një flluskë aq e madhe, se çfarë do të bëhet, do të shkojnë ministri, këshilltari i tij, do të hyjnë në burg e kështu me radhë dhe duke i parë edhe postimet e mëhershme, filluam edhe si kabinet me pa që mund të lidhet me kabinetin tonë. Nuk kish kah me u lidhë dhe pritshim prej cilit nga këshilltarët, në cilat situata kemi mund të jemi, që Berat Buzhala ta thotë këtë që po e thotë”, ka thënë Aliu.

Ai tutje ka shtuar se raportimi u paralajmërua aq shumë saqë, sipas tij, të gjithë prisnin arrestimin e vetë ministrit apo këshilltarit, përcjell Demokracia.com.

“U ndërtu një flluskë e madhe, të gjithë prisnin tash sesi del ministri apo këshilltari në përgjim, duke marrë pare nga dikush. Unë i njoh këshilltarët e mi, i njoh krejt. Para se me dalë emisioni, filloi një fushatë tjetër, kur u paralajmërua më, kur bëhej fjalë për Florent Ramqaj, presioni që ai duhet të dorëhiqet dhe pastaj kur e dëgjuam atë incizimin e famshëm, i cili kërkonte orë të tëra interpretim që të dukej serioz, doli një situatë shumë qesharake. Ajo situatë më është dukur qesharake, në krahasim me pompozitetin dhe fryrjen e madhe që iu dha situatës… Të gjithë prisnin që policia do t’i marrë Liburnin apo këshilltarin e tij, do të shkojnë”, ka thënë ai.

Në aferën korruptive është përfshirë kompania e quajtur “Infratek”, me të cilët Ramqaj ka lidhje familjare dhe kishte punuar aty.

Kurse, shuma e ryshfetit, sipas mediumit është 30 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për 20 mijë euro që jepen një herë e 10 mijë tjera më vonë.