Hoxhaj: Sloganet “guxo” e “krejt dhe drejt” nuk po guxojnë me u përballë me disa huliganë në veri

310

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ironizuar me incidentin që iu ndodhi sot Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në veri, të cilët ishin për vizitë dhe të njëjtit u kthyen prapa pasi një grup serbësh i detyruan ata që ta ndërprejnë vizitën në këtë pjesë.

Enver Hoxhaj, gjatë një takimi që pati me qytetarë në Podujevë, foli edhe për këtë rast, ku tha se edhe pse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani i kanë sloganet “Guxo” e “Krejt dhe drejt” nuk guxuan të përballeshin me disa huliganë në veri.

“Ku keni mendu ju që një kryeministër që ka qenë 50 ditë, i cli ka njëfarë slogani krejt dhe drejt nuk mundi drejt me shku në veri të vendit. Këta nuk e meritojnë votën e kërkujt në Kosovë. A e dini pse? Se në 2011 kur ka dhënë jetën Enver Zymberi, ne e kemi çu Policinë e Kosovës në veri te vendit sa ka qenë Hashim Thaçi kryeministër.”

Në anën tjetër, ai përmendi të gjitha aksionet që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës sa ishte PDK në qeveri dhe sa ishte kryeministër Hashim Thaçi.

Duke e nisur nga vendosja e policisë së Kosovës në pjesën veriore në vitin 2011 ndaljen e trenit, ndalimin e Nikolicit, arrestimin e Gjuriqit, Hoxhaj përmendi edhe vizitën që Presidenti Hashim Thaçi e ka bërë në liqenin e Ujmanit në vitin 2019.

“Në 2012 e kemi ndalë Nikoliçin me ardhë me ba vizitë në veri. Në 2017 e kemi ndalë trenin i cili është nisë prej Serbisë me hy në Kosovë dhe shërbimi i intelegjencës së Kosovës ka pasë njerëz në Serbi në tren dhe e kemi ditë ku është treni, kush është në tren dhe e kemi ndalë trenin pa hy në Kosovë. Në 2018 i kemi thënë Marko Gjuriqit mos hyn pa leje, apliko për leje. S’ka apliku për leje, e kemi arrestu, e kemi ngreh zhag në Prishtinë. Në 2019 Presidenti jonë për qejf me anije e ka vizitu Ujmanin.”, tha Hoxhaj në Podujevë.

Ai, gjithashtu iu tha përkrahësve se duhet të gjithë ta dinë se ata që e kanë sloganin “Guxo”, nuk guxojnë me u përballë me 15 fëmijë në veri.

“Ata që e kanë sloganin krejt dhe drejt s’kanë të drejtë as krejt se nalen prej 15 qytetarëve në veri të vendit.”, shtoi ai.

Hoxhaj, gjithashtu përmes faqes së tij të Facebookut, ka treguar se në Podujevë ka hasur në mikpritje të përzemërt, duke shtuar se përkrahja ndaj planit të rimëkëmbjes po rritet çdo ditë dhe kudo në Kosovë.

“Mikpritje e përzemërt sonte në Podujevë. #Rimëkëmbje po rritet çdo ditë dhe kudo në Kosovë. I lumtur me përkrahjen e të gjitha gjeneratave dhe profesionistëve, që janë rreshtuar me vizionin e PDK-së për shtet që u shërben të gjithëve. Si parti e dalë nga lufta mbrojtëse çlirimtare, PDK-ja është garancia e vazhdimësisë së shtetndërtimit dhe jo e degradimit. Kosova është e fortë, kur PDK-ja është e fortë.”, ka shkruar Hoxhaj.