Humolli: Gjykata Kushtetuese do të pranojë çfarëdo statuti për Asociacionin

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, e ka kritikuar kryeministrin Kurti edhe për fshehjen nga opinioni të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka thënë se një veprim i tillë është i padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Në rend të parë është një fshehje prej qytetarëve tanë. Nëse është i drejtë për qytetarët tanë, atëherë është jo korrekte me e fsheh, por edhe nëse është i padrejtë ndaj qytetarëve tanë prapë është jo korrekte me e fsheh. Është përbuzje e qytetarëve tanë, është për elektoratin që mbi 50 për qind i kanë besuar një subjekti politik dhe është formuar një qeveri prej kësaj shumice dhe ky tash ua kthen bumerang atë besim qytetarëve, duke ju thënë se ju nuk jeni me vlerë”, ka theksuar Humolli në një intervistë për gazetën Nacionale.

Ndonëse nuk e ka parë draftin, ai ka thënë se dokumenti në fjalë nuk mund të jetë në harmoni me Kushtetutën.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij, se megjithatë Gjykata Kushtetuese do ta akomodojë.

“Në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese i ka kontestuar shumë elemente të marrëveshjes që ka qenë ndesh me Kushtetutën, për shkak të paralelizmit. Domethënë Kushtetuta e Kosovës deri në atë periudhë nuk ka pasur institucione paralele. Kurse, Kuvendi i Kosovës më vonë e ka bë Gjykatën Speciale që është institucion komplet paralel me institucionet tona. Sot kur te shkon çfarëdo statuti për Asociacionin, Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi me e hedh poshtë, sepse kuvendi ka ndërtuar një institucion paralel dhe mundësi shumë reale është që ka me ndertu një institucion paralel dhe Gjykata Kushtetuese ka me e pranu”, ka thënë Humolli.

Sa i përket nënshkrimit të ujdisë për Asociacionin, të cilin po e kërkon Kurti, ai ka thënë se Serbia edhe më herët nuk i ka nënshkruar marrëveshjet me Kosovën.

“Prej Rambujesë, Serbia nuk ka nënshkruar marrëveshjet me Kosovën. Për herë të parë ka nënshkruar me e dergu marrëveshjen në Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka nënshkrime tjera. Ajo do që na me i marrë obligimet dhe me i kry obligimet që ua premtojmë ndërkombëtare dhe Serbia me vazhdu me kërkesat të reja. Në serbi nuk ka institucione naive qysh kemi na. Ata kanë traditë shtetëror, ne bëjmë gara në mes veti, sikurse në seancën e fundit, ku u bë garë kush me e zbatu Zajednicën. Pra garë mes shumicës dhe opozitës për me ba Zajednicën”, është shprehur deputeti i pavarur.