Hyseni e quan Kurtin mashtrues patologjik: Tentoi t’i mashtrojë ata pak votues që i kanë mbetur

Ish-ministri i Jashtëm i LDK-së, Skënder Hyseni e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti, mashtrues patologjik, pas shtyrjes së vendimit për targat e automjeteve.

Hyseni në Prime Time në Kanal10, theksoi se Kurti tani duke e pranuar kërkesën e SHBA-së, për ta shtyrë këtë vendim, tentoi t’i manipulojë ata pak votues të tij që i kanë mbetur.

Ai ka folur edhe për situatën aktuale në veri të Mitrovicës, për të cilën ka thënë se gjendja atje ngjanë me situate të krijuara para vitit 2013.

“Më vjen keq ta them, Kurti mund të flas para mediave çfarë të dojë. Gjithë ajo çfarë ka thënë është e pavërtetë. Është përpjekje për të manipuluar atë grusht të vogël të votuesve që i kanë mbetur, dhe për ta paketuar dështimin e tij të madh për ta pranuar me kohë kërkesën amerikane. Sepse, në veri është krijuar një situatë e para vitit 2013. Në veri sot ka vakum, mungesë totale të institucioneve”, tha Hyseni në Prime Time.