Hyseni: VV-ja funksionon me takime të fshehta – Nëse Asociacioni bëhet një herë, më nuk zhbëhet

Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate, ka thënë se nuk e ka parë draft-statutin “real”, të Asociacionit, por atë që po qarkullon aktualisht.

“Është thënë se statuti është i pranuar. Ka konfuzione. Po më duket që janë në një përpjekje të dështuar. Ky draft do të bëhet dekret dhe do të dërgohet në Kushtetuese. Këta, nuk e dinë tamam e as nuk kanë të përgatitur strategjinë. Po thonë pranojeni këtë draft sepse mund të bëhet edhe luftë”, u shpreh ai në ATV.

Sipas Hysenit “procesin e ka karakterizuar prej nisjes”, dyshimet e problematikat derisa thotë se njerëzit i kanë besuar procesit që ka qenë gjithmonë i mbyllur.

“Është mënyrë e tyre (Vetëvendosjes) e funksionimit me takime të fshehta, konfidenciale”, u shpreh ai.

Hyseni ka vlerësuar se nuk është me rëndësi kush e ka pranuar draft-statutin, “por kush do ta nxjerrë si përfundim”.

“Nëse një herë bëhet Asociacioni, më nuk mund të zhbëhet”, u shpreh tutje ai.

Sipas Hysenit, Asociacioni i pranuar aktualisht është përtej atij të vitit 2013 dhe 2015.

Hyseni shtoi se “arbitrazhi” nuk ekziston as te marrëveshja e vitit 2013 e as 2015.

“Arbitrazhi do të na kushtojë. I jep Serbisë pushtet paralel”, tha ai.

Problematike, sipas tij, “është edhe përmendja e Preambulës 12 44”./Fokusi.info/