I akuzuari që ka torturuar shqiptarë gjatë luftës, emërohet anëtar i KQZ-së

Dhjetë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ) sot janë betuar para presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa në ceremoni mori pjesë edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Por, në mesin e këtyre anëtareve të rinj, është edhe Nenad Rikalo nga Lista Serbe. Ish-ministri i Bujqesisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ishte shkarkuar vitin e kaluar nga kjo pozitë.

Shkarkimi i tij kishte ndodhur, pasi që emri i ministrit Rikalo, ishte përfolur për keqpërdorime në ministrinë e Bujqësisë, ndërsa pak ditë pas formimit të Qeverisë Haradinaj, disa qytetarë të lagjes ‘Dardania’ në Prishitnës, u thanë mediave se Nenad Riaklo, ka keqtrajtuar e ka torturuar qytetarë shqiptarë dhe gjatë luftës ishte pjesë e forcave të armatosura serbe.

Pretendimet për krime lufte, kishin aktivizuar Prokurorinë dhe dëshmitarë filluan të merren në pyetje. Duke tërhequr paralele me situatën ku ishte gjendur një tjetër ministër që vinte nga komuniteti serb, Aleksandar Jabllanovic, opozita në atë kohë, nxitoi që përmes Kuvendit ta shkarkonte Rikalon, shkruan Insajderi.

Çështja kishte nxitur debate edhe në Parlamentin e Kosovës, ku opozita kërkoi shkarkimin e tij.

Në debatin e ashpër në Kuvend, tetorin e vitit 2017, Rikalo ishte mbrojtur nga kryeministri Haradinaj. Mocioni i LDK-së për shkarkimin e tij, kishte marrë 27 vota pro, 40 kundër, ndërsa në fillimin e muajit nëntor, Prokuroria Speciale, bëri të ditur se nuk kishin gjetur prova të mjaftueshme se Rikalo ishte i implikuar në krime lufte, shkruan Insajderi.

Por, Partia Socialdemokrate (PSD), kishte zgjedhur ta kushtëzojë Qeverinë Haradinaj, në mënyrë që ta votojë buxheti për vitin 2019.

Pas kësaj, ish-kryeministri Ramush Haradinaj nëpërmjet rrjetit social Facebook, kishte bërë të ditur lajmin për shkarkimin e ministrit Rikalo.

“Në proceset politike para vetes, do të respektoj angazhimin e secilit. Ministri Rikalo ishte ministër i respektuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Bashkëpunimi me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, do të vazhdon palëkundur”, kishte shkruar Haradinaj/