I ndërpritet kontrata drejtoreshës që u zgjodh dhe mbajti për dy vjet kundërligjëm postin pas moshës 65 vjeçare

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka vendosur t`ia ndërpres kontratën e punës drejtoreshës pensioniste të SHFMU “ Mehmet Gjevori”, Valbona Kastrati.

Vendimi është marr pas shkrimit të Gazetës Sinjali, që zbuloi se Kastrati, dy vjet më parë, ishte zgjedhur drejtoreshë, përkundër se i kishte mbushur 65 vjeç, duke vazhduar që prej asaj kohe, ta mbante postin kundërligjshëm.

“Me drejtoreshën e SHFMU “ Mehmet Gjevori”, të cilën e falenderuam për kontributin e dhënë në edukimin, arsimimin e gjeneratave dhe menaxhimin me suksese të IAE. Pensionim të rehatshem dhe shendet për drejtoreshën Valbonë, do të jetë shembull për shumë gjenerata se si punohet me nder dhe përkushtim!.”, ka shkruar përmes profilit të saj në facebook, Shpresa Shala.

Valbona Kastrati dhe Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në komunën e Prishtinës
Të martën, Gazeta Sinjali, raportoi sesi Valbona Kastrati kishte qenë drejtoreshë e shkollës “Meto Bajraktari” në kryeqytet deri në gusht të vitit 2018, kur u pensionua. Ndërsa më 1 shtator të atij viti, kur u hap shkolla “Mehmet Gjevori”, Valbona Kastrati mori kundërlishëm drejtimin e saj.

Kjo pasi Ligji i Punës (neni 67) dhe Ligji për shërbyes civilë (neni 90 dhe neni 91) përcakton qartë se “marrëdhënia e punës në shërbim civil përfundon me arritjen e moshës së pensionimit (65 vjeç)”.

Në postimin e sotëm, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Shpresa Shala iu referua znj. Kastrati si drejtoreshë, përkundër se pas inicimit të kësaj teme nga Gazeta Sinjali, kjo drejtori e kishte rezistuar duke mohuar se është drejtoreshë shkolle.

“Ju njoftojmë se Valbona Kastrati, ka qenë drejtoreshë e shkollës “Meto Bajraktari” dhe nga data 31 gusht 2018, ka dal në pension. Mandej mbasi u hap shkolla fillore “Mehmet Gjevori” për të mbështetur është caktuar si koordinatore e shkollës për organizimin dhe funksionalizimin e shkollës.”, thuhej në përgjigjen e kësaj drejtorie.

Vetë drejtoresha Valbona Kastrati, në një bisedë përmes telefonit fillimisht e ka pranuar se është drejtoreshë shkolle, por kur ka marr vesh se Gazeta Sinjali ka informacione që ajo është pensionuar, ka mohuar deklaratat e saj duke shtuar se është vetëm ushtrues detyre në shkollën “Mehmet Gjevori”.

Ajo kishte deklaruar se në këtë pozitë është nga 30 shtatori i këtij viti deri në fund të këtij gjysmëvjetori ndonëse ishte zgjedhur që nga shtatori i vitit të kaluar kur është hapur kjo shkollë.