I vunë zjarrin mobilerisë, në pranga babë e bir

Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, ku në Nikel të Krujës, u përfshi nga flaka një mobileri.

Nga hetimet intensive të policisë së Krujës, u arrestuan në flagrancë babë e bir, A. M., 26 vjeç dhe N. M., 58 vjeç, banues në Tapizë, Krujë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, për motive të dobëta në bashkëpunim me njëri tjetrin, në orën 02:50 të mëngjesit, të datës 1 prill në Tapizë, i kanë vënë zjarrin mobilerisë në pronësi të shtetasit B. D., 55 vjeç, banues në Tapizë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë në banesën e shtetasit të arrestuar N. M., është gjetur një armë zjarri ‘pushkë’, model 56, pa lejen përkatëse, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Krujës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. /noa.al/