Ibishi mohon t’i ketë dhënë urdhra Salih Mustafës apo dikujt nga njësiti BIA

Dëshmitari Nuredin Ibishi, i njohur si komandant Leka, në gjykimin e së martës, në rastin e Salih Mustafës, ka instistuar se nuk i ka dhënë urdhra Salih Mustafës, edhe kur nga prokurori Cezary Mihailzcuk iu treguan pjesë të deklaratës së Fatmir Humollit e vet Salih Mustafës që sipas prokurorit thonin të kundërtën e asaj çka po thotë Ibishi.

Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Cezary Mihailzcuk, dëshmitari Ibishi ka deklaruar se nofka “Korabi” i përkiste Kapllan Parduzit.

Pozita e Latif Gashit në UÇK aso kohe, ai tha se ishte shef i zbulimit dhe kundër zbulimit në kuadër të zonës operative të Llapit.

Ndërkaq, konfirmoi se i kujtohet pjesë nga deklarata që i ka dhënë mbrojtjes në vitin 2021, për çka tha se e ka thënë të vërtetën.

Më pas nga prokurori u citua një pjesë e deklaratës, ku Ibnishi kishte thënë “Latif Gashi ishte përgjegjës të shikonte rreth e rrotull dhe eventualisht, përfundimisht  u evakuuam dhe u transportuam drejt spitalit”. Këtë deklaratë të cituar, dëshmitari Ibishi e ka konfirmuar, si dhe tha se i ka treguar të vërtetën mbrojtjes.

Më pas, iu tregua një dokument tjetër, që i përket të njëjtës temë, një deklaratë para një gjykatësi hetues në çështjen e Latif Gashit e të tjerëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 26 gusht të vitit 2002.

“Gjendet pyetja e përgjigja pasuese. Gjykatësi hetues: me sa kuptoj unë nga dëshmia juaj e mëparshme, ju jeni plagosur në muajin maj, ju u përgjigjët : jo unë jam plagosur me 9 prill dhe 2 apo 3 ditë më vonë më dërguan në Spitalin Ushtarak të Potokut me ndihmën e Latës dhe bashkëluftëtarëve të tij”, tha citoi prokurori.

I pyetur se a konfirmon se ia ka thënë këtë gjykatësit hetues, dëshmitari tha se me siguri që po, ndërkaq i pyetur se a ishte Lata ai që e kishte ndihmuar gjatë transportimit nga Turuçica në Potok, dëshmitari Ibishi e konfirmoi këtë dhe tha se “Lata” është nofka e Latif Gashit.

Tutje, iu kërkua të tregoj hollësi të mëtejshme lidhur me lëndimet e tij.

“Ka qenë lëndime të rënda, në kuptim të asaj, ashtu si kanë trajtue ata mjekët, nuk është çështje e ime. Jam plagos nga një armë që me konventa ndërkombëtare është e ndaluar, ka të bëj me pragën 30 mm që e ka efektin sekondar, që shkakton pasoja të rënda, sidomos ka shkaktu te civilët dhe në këtë rast te unë dhe bashkëluftëtari im Korabi. Për këtë arsye, them se lëndimet janë të karakterit të rëndë”, sqaroi Ibishi.

Plagët e tij, ai tha se i mori në stomak dhe në pjesën e shpinës, ku ende i ka mbetjet, si dhe në vesh tha se ende e ka një pjesë të fragmentit të eksplozivit.

Ai konfirmoi se gjendja e Parduzit ka qenë më e keqe se sa ajo e tij.

“Të them të dytë ishim në gjendje të rëndë, për me bo nivelizimin se cili është rëndë e më rëndë, nuk kam një vlerësim, por po them se ka qenë më rëndë se unë, dytë kemi qenë në gjendje jashtëzakonisht rëndë, po të mos shkonim me kohë në spitalin ushtarak dhe t’i nënshtroheshim operimit do të vinte te sepsa. Për kundër operimit që u bë pas dy ditëve që folëm, te ai u ngadalësua aspekti i shërimit në të vërtetë i trajtimit, për këtë arsye po them se gjendja e tij prej dy gjendjeve të rënda, ai e ka pas më të rëndë”, tha dëshmitari Ibishi.

Tutje, ai tha se s’po kupton fare se pse është e rëndësishme se cili ishte më rëndë dhe nuk ka asnjë kuptim kjo dhe sipas tij është edhe ofenduese, duke shtuar se qenka dashur të merrte fotot nga operimi për të parë sa e rëndë ka qenë gjendja.

“Nuk po i vë në pikëpyetje dëmtimet se sa të rënda kanë qenë ato të juajat apo Parduzit. Dua t’i tregoni trupit gjykues çka mbani mend nga ai udhëtim”, tha prokurori.

Tutje, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt- Foglia, tha se askush nuk po e ofendon dhe se të gjithë do të trajtohen me respekt.

Ibishi tha se nëse dëshiron trupi gjykues mund t’i sjellin fotografitë për të parë ndërhyrjen e operacionit dhe në çfarë gjendje kanë qenë. Por, kryetarja e trupit gjykues tha se dëshirojnë të përgjigjet në pyetje dhe nëse do të donin fotografitë do t’i kërkonin.

“Dytë kemi qenë në vazhdimësi duke humbur gjak. Ka të bëj me lëndimin e organeve të brendshme të stomakut, s’di a jam i qartë”, tha tutje Ibishi.

Ndërkaq, i pyetur se a ka pasur gazë apo fashë në kokë Parduzi, dëshmitari Ibishi tha se nuk i kujtohet.

Dëshmitari Ibishi tha se realisht për shkak të largësisë në krahasim me vetndodhjen të komandës së zonës, por edhe shtabit dhe pamundësinë që të qarkullojnë në pjesën urbane, kanë bërë ndalimin e rreptë të udhëtimit ngase kanë pësuar pesë luftëtarë të tyre që janë vrarë në Prishtinë në mënyrë arbitrare nga forcat serbe.

“Mundësia jonë për të udhëtuar në zona urbane ka qenë rreptësishtë e ndaluar. Nuk kemi dashur të hapim konflikt në zona urbane për shkak të popullatës. Edhe largësia gjeografike dhe qasja e pamundësisë në hyrje të zonave urbane nuk kemi pas këmbim të raporteve dhe dhënieve të urdhrave përveç rasteve kur kemi pas nevojë për shërbime nga ta”, tha ai, duke u përgjigjur në pyetjen se a i ka raportuar BIA zonës operative të Llapit.

Tutje, ai tha se ka mundur të kenë raporte me dikë të stafit të komandës dhe kur BIA ka ofruar shërbime për nevoja shëndetësore, të personelit, logjistikës dhe çështje tjera, nuk ka qenë e nevojshme në aspektin e komunikimit drejt me të apo dikë prej komandës të caktuar, përveç asaj të shërbimeve specifike që ka kryer BIA për nevoja të zonës operative të Llapit.

Ai konfirmoi se ka thënë se ka kontaktuar me një person që mund të ishte nga BIA me emrin Rrahman Dini.

“A ka ardh dikush tjetër nga BIA gjatë kohës së luftës që të raportonte para jush”, ka pyetur prokurori Mihailzcuk.

“Po jo, jo raportu, po ka kryer shërbime të ndryshme në kuadër të nevojave të zonës operative të Llapit, mos t’i përmendi ato që i thash më parë”, u përgjigj Ibishi.

Ai tha se BIA nuk ka pasur të marr urdhra dhe ka kryer shërbime në bazë të nevojave që ka pasur zona, që ku është treguar nevoja, janë bërë kërkesa të komandanti i këtij njësiti dhe i njëjti i ka shërbyer.

Dëshmitari mohon se i ka lëshuar ndonjë urdhër Salih Mustafës. Ndërkaq, i pyetur si e dinte që Mustafa ishte komandant i BIA-së, ai tha se Cali është veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, ku ka qenë edhe i burgosur politik dhe i angazhuar në njësitin BIA, ku edhe pse se ka njohur personalisht, ka pasur njohuri lidhur me veprimtarinë dhe aktivitetet e tij.

Sipas tij, ai gjatë luftës e ka takuar Salih Mustafën, por nuk e ka njohur.

“Duke pas parasysh që se kam njoft ma herët, atëherë personalisht nuk e kam njoft. Kam mujt nashta me pa dhe me kalu, duke mos e njoft ma herët, duke mos pas njohuri personale me të”, tha ai.

Tutje, ai tha se i ka thënë të vërtetën prokurorisë në deklaratën e tij të dhënë për ta për këtë çështje.

Pas kësaj, u tregua deklarata e Salih Mustafës dhënë për prokurorinë, ku citoi një pjesë të saj kur ishte diskutuar për marrjen e urdhrave.

“Se mbaj mend saktësisht, mund të ju them me kë takohesha për të marr urdhrat.. merrnim urdhrat nga shtabi i nën-zonës, pyetja ishte kush ishte, ju përmendët Rrustem Mustafën, përgjigja: Rrustem Mustafa, Kadri Kastrati, pyetje: Nuredin, përgjigja: Nuredin Ibishi”, citoi prokurori.

Tutje, prokurori vazhdoi me citim tjetër të deklaratës, ku po ashtu diskutohej për marrje të urdhrave, ku sërish ishte përmendur Nuredin Ibishi.

“Nga këto dy pjesë ngjason, duket, se së pari Salih Mustafa merrte urdhra prej Nuredin Ibishit, ju thatë që ju nuk i jepnit urdhra Salih Mustafës. A po thoni se Salih Mustafa ka gënjyer në deklaratën e tij”, pyeti prokurori.

“Nuk them dhe ai është qëndrim i juai dhe interpretim i juaji. Nëse më pyetni as unë nuk mund të jap përgjigje, e jep Salih Mustafa. Thotë e marrim nga sektorët, qendra opertive dhe sektorët, dot a interpretoj zoti Mustafa se sektor janë shërbimet, ai shëndetësor, logjistika, personeli dhe për këtë arsye unë nuk kam qenë udhëheqës i sektorit, por shef i operativës. Ndoshta është gabim në interpretim”, tha tutje Ibishi.

Ndërkaq, prokurori tha se nuk është gabim pasi Mustafa flet për operativën dhe ai thotë se shefi i sektorit e kontaktonte, Nuredin Ibishi. Kurse, Ibishi tha se asnjëherë nuk ka qenë shef sektori.

“Ai nuk thotë pozitën, thotë emrin tuaj këtu”, tha prokurori.

“Nuredin Ibishi nuk ka qenë udhëheqës sektori, ka qenë shef i operativës dhe ka qenë varësisht prej kohës komandant i brigadës apo shef i shtabit, asnjëherë nuk ka qenë shef sektori. Është e vërtetë se Mustafa ka marrë urdhër prej sektorëve, shëndetësisë, logjistikëks, dhe këtë duhet të dallohet”, tha ai tutje.

Ibishi sërish mohoi se i ka dhënë urdhra Mustafës.

Tutje, në një deklaratë në një tjetër çështje gjyqësore, sipas prokurorit i pyetur Mustafa nëse i raportonte drejt komandant Remit, ai kishte mohuar këtë.

“Ndërkaq i pyetur se kujt i raportonte, thuhej se kryesisht raportimet ja përcjellin shefit të shtabit, pyetje: nga cili merrje urdhrat, Salih Mustafa: nga shtabi i zonës, ishte shefi i shtabit, ose me telefon satelit ose radio. Në çështjen Agron Zeqiri, Salih Mustafa thotë se i raportonte shefit të shtabit, juve zoti Ibishi”, tha prokurori.

“Nuk dua të interpretoj deklaratën e tjetërkujt”, tha dëshmitari Ibishi.

Ibishi u pyet nëse thotë se Mustafa gënjen kur thoshte se i raportonte shefit të shtabit.

“Deklaratat secili i interpreton të vetat, edhe njëherë po ju them, mos mu deklaroni mua me deklarata fyese për Salih Mustaf”, tha ai, e më pas u ndërpre nga gjykatësja që i kërkoi të kontrollonte tonin e zërit.

Tutje, dëshmitari Ibishi sërish tha se nuk i ka dhënë urdhra Salih Mustafës dhe se nuk dëshiron të interpretoj deklaratën e tjetërkujt.

Prokurori i ka treguar Ibishit një deklaratë tjetër të një dëshmitari që ka dhënë dëshmi para këtij trupi gjykues, konkretisht Fatmir Humollit, me 2 shkurt 2022.

“Pyetja: cili në zonën operative të Llapit në komandë pra kujt i raportonte BIA në zonën operative të Llapit, përgjigja komandantit të zonës operative të Llapit dhe shefit të zonës operative të Llapit, pyetja cili ishte shefi: përgjigja: Nuredin Ibishi ishte shefi i komandës operative, pyetja cila ishte pozita e tij ekzakte, a mund të na tregosh, përgjigje: po flas për Nuredin Ibishi, pyetje: ishte shefi i operativës, pyetja:  Pra ose nga Rrustem Mustafa ose nga Nuredin Ibishi, përgjigja: po”, lexoi prokurori.

Kurse, dëshmitari tha se nuk ka dhënë urdhër e se a ka mundur të jap urdhra është çështje tjetër, por se përgjigja e tij strikte është se nuk ka dhënë urdhra, duke shtuar se nuk i ka dhënë urdhra as Mustafës e as ndonjë anëtari tjetër të njësitit BIA-së.

Ndërkaq, konfirmoi se po të kishte pasur nevojë të jepte urdhra, ai ka mundur të jap, por se çështja është se ai nuk ka dhënë urdhra.

“Pra jo çka ka thënë Fatmir Humolli nuk është e saktë”, ka pyetur prokurori, e dëshmitari tha se duhet të pyetet Humolli për këtë, duke thënë se nuk dëshiron të interpretoj asnjë deklaratë të askujt dhe nuk dëshiron fare të interpretoj këtë dhe se kjo është përgjigja e tij.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha dëshmitarit se duhet të jap një përgjigje, pasi Humolli kishte thënë se njësiti BIA ishte nën komandën e Salih Mustafës dhe kishte konfirmuar se merrte urdhra ose nga Rrustem Mustafa ose Nuredin Ibishi.

“Më vjen keq dhe dua të them. Thash nuk kam dhënë urdhra dhe shef i operativës kem qenë bashkë me Kadri Kastratin, kemi udhëheq operativën, s’kom qenë veç une. Të kuptohemi, te kemi të qartë. Sa i përket vetes time, unë nuk kam dhënë urdhra dhe kjo është përgjigja ime e nderuar zonja kryetare”, tha dëshmitari.

E gjykatësja pyeti se a po thotë se nuk është e vërtetë a çka ka thënë Humolli, e dëshmitari tha se nuk e mohon se bashkë me Kastratin kanë udhëheq me operativën, por se ai personalisht nuk i ka dhënë urdhra BIA-së.

“Së bashku me Kadri Kastratin kemi udhëheq operativën dhe nëse më pyetni a kam dhënë urdhra ndaj BIA-së, nuk kam dhënë, nuk mund të interpretoj deklaratën e dikujt tjetër. Se nesër Fatmir Humolli a Cali më thotë kam mendu ndryshe, pse thu nuk është e saktë, është rren apo diçka. Për këtë arsye ju kërkoj të më kurseni nga kjo qasje”, tha dëshmitari.

“Nuk po ju kursej asgjë për këtë sepse jeni i detyruar t’i përgjigjeni pyetjes që është ngritur. Dua të dëgjoj nga ju nëse është e saktë apo jo që BIA merrte urdhra nga Nuredin Ibishi sikurse ka thënë Fatmir Humolli. Dua të dëgjoj prej jush nëse mendoni se deklarata e tij është e saktë apo jo”, pyeti gjykatësja, e përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua për publikun.

“Ju po thoni që ajo që ka thënë Humolli kësaj gjykate është jo e vërtetë, pajtoheni me këtë ”, pyeti  sërish gjykatësja.

E këtë e konfirmoi dëshmitari, e më pas gjykatësja tha se iu desh shumë kohë të merrte këtë përgjigje nga ai dhe nuk ishte e nevojshme gjithë kjo.

Lidhur me pjesëtarët e BIA-së, ai tha se gjatë misionit që kanë pasur nuk kanë bartur uniforma, përveç në rastin kur është urdhëruar mobilizimi i përgjithshëm nga data 27 prill 1999 nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës,  ku tha se për këtë nuk është i sigurt.

“Ata kanë qenë civil, kanë vepru civil, çfarë logjike ka të jenë në zona urbane, ku janë policia ose forcat e armatosura të Serbisë, kanë qenë civil. Ndërsa, pas të 27, ajo gjendje ndoshta ka ndryshu për shkak se është dhënë mobilizim i tërësishëm i të gjitha strukturave në forca mbrojtëse për shkak të situatës së krijuar”, tha ai.

Në vijim, dëshmitarit Ibishi iu treguan dy fotografi, ku u pyet se a njeh ndonjë nga personat e përfshirë në fotografi.

“Po e njoh Calin, edhe s’po di, s’po jam i sigurt për këtë tjetrin”, tha dëshmitari Ibishi.

“Tërë personat në fotografi përfshirë Salih Mustafën, shefin e BIA-së kanë të veshur uniforma”, pyeti prokurori, e dëshmitari e konfirmoi këtë, si dhe faktin se kanë emblemën e UÇK-së në kapele dhe uniformë.

Sikurse, prokurori tha se janë të armatosur që të tre në këtë fotografi.

“Të duken si civil këto në sytë e tu”, pyeti prokurori, e Ibishi e mohoi këtë.

Tutje, iu tregua edhe një fotografi tjetër, ku për këtë fotografi, ai tha se në të e njeh Salih Mustafën.

“Pra të katër këta persona kanë veshur uniformë dhe kanë emblemën e UÇK-së”, tha prokurori, e dëshmitari tha se është e saktë, por është në pyetje edhe koha dhe nëse kanë dal në fotografi me uniformë nuk do të thotë që kanë bartur uniformë, kanë mundur ta veshin për të dal në fotografi.

Edhe për këtë fotografi, ai  konfirmoi se janë të armatosur. Dëshmitari sërish tha se ai nuk po e di kohën, të cilës po i referohen këto dy fotografi.