Incidenti në Kuvend i 13 korrikut: Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Bislimit dhe tre deputetëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj deputetëve të cilët u përfshin në rrahje në Kuvendin e Kosovës me datë 13.07.2023.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.B., H.B., M.L. dhe B.H., (deputetë të Kuvendit të Kosovës), lidhur me përleshjen fizike të dt. 13.07.2023, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.B., M.L., H.B., ngarkohen për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri H.B., gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, në këtë çështje penale për të pandehurin B.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK-së.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.