Infektologu Sadiku: Nuk duhet të lirohen masat, kemi pak vaksina

Kohëve të fundit ka pasur rënie të rasteve pozitive dhe viktimave si pasojë e Covid-19 në vend. Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Izet Sadiku janë disa faktorë që kanë ndikuar në uljen e rasteve të reja me COVID-19, derisa shton se lirimi i masave nuk duhet të jetë i ngutshëm sepse mund të ketë pasoja duke ditur numrin e ulët të vaksinave që kemi.

Sadiku tha se brenda 24 orëve, 30 pacientë janë të hospitalizuar për COVID-19.

‘’Kemi pas rënie të pacientëve të shtrirë në infektivë, sot është rreth 30 numri i pacientëve që janë hospitalizuar. Ky është numri më i ulët brenda një viti’’, tha Sadiku për Demokracia.com

Sipas Sadikut, ulja e rasteve vjen pas çdo vale dhe se tanimë ka një numër të madh të qytetarëve që kanë kaluar virusin dhe disa prej qytetarëve edhe janë vaksinuar në vendet e rajonit.

‘Pas çdo vale ka pas një rënie të numrit të të infektuarve. Arsyet janë që është një numër i qytetarëve që e kanë kaluar COVID-19, e dyta kemi një vaksinim të qytetarëve edhe pse është i vogël ky numër, një numër i qytetarëve janë vaksinuar edhe në vendet e rajonit që kanë pasur dokumente të tyre shtetërore’’, tha Sadiku.

Infektologu thotë se nuk duhet të ketë lirim të masave në këtë kohë, kjo edhe për shkak të numrit të vogël të vaksinave që i posedon shteti.

‘Edhe qershori do të duhej të ishte një muaj ku do duhej të ishim më të rezervuar në veprimet që i bëjmë dhe të shohim rënien e rasteve sepse duhet të ruajmë qytetarët nga vdekja. Dihet se lirimi i masave bëhet me rekomandimin e IKSHPK-së mirëpo mendoj se lirimin duhet ta bëjnë në mënyrë më graduale dhe karshi numrit të të vaksinuarve duke ditur numrin e vogël të vaksinave që posedojmë. Me këtë numër të vogël të vaksinave duhet të kemi kujdes, ende duhet të jetë fazë e kujdesshme sepse pas lirimit do të jetë vështirë të kthehen ato paraprake. Ekziston rreziku edhe variantit indian edhe pse ende nuk kemi të dhëna të dokumentuara nëse në vendin tonë kemi raste me këtë variant të COVID-19”, tha Sadiku.

Kosova u rrezikua edhe nga varianti britanik dhe ai i Afrikës së Jugut, megjithatë, nuk ka të dhëna të sakta të të infektuarve me këtë lloj të koronavirusit.

‘’142 mostra janë dërguar në mars dhe nga to 97 kanë qenë me variantin britanik, dhe kjo është kuptuar edhe me përhapjen e saj të madhe shembull në të gjithë familjen sepse është më përhapës. Pastaj i kemi pasur të vdekurit më shumë nën moshën 50 vjeçare. Kemi pasur tre shtatzëna që kanë vdekur brenda një muaji, ndërsa në krejt periudhën tjetër ka pasur vetëm një të vdekur shtatzënë prej COVID-19,’’ tha Sadiku.

Sadiku ka folur edhe për mënyrën e trajtimit të pacientëve me Covid-19 në Kosovë.

‘’Në fillim të këtij viti kemi filluar aplikimin e plazmës së gjakut për pacientët e infektuar me COVID-19, ende nuk kemi bërë një analizë se si po ndikon tek pacientët por kemi parë që kjo ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e shpejt në gjendjen e pacientëve. Nuk ka efekte të veçanta nga plazma e zakonshme. E dimë se nuk ka një bari të veçantë për trajtimin e këtij virusi prandaj duhet të përdorim alternativa ndihmëse për të mirë e pacientit.

Përveç efekteve pozitive, Sadiku tha se nuk pati ndonjë rast që ndikoi negativisht apo keqësoi gjendjen e pacientit që po trajtohet me plazmë e gjakut.

Kujtojmë se brenda 24 orëve nuk pati të vdekur nga COVID-19, ndërsa janë regjistruar 44 raste të reja.

Numri total i rasteve pozitive është 107.313 raste nga 599.859 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.241 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 152 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.877 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.195.