Inskenimet e Serbisë për “krizë humanitare”, mbyllen të gjitha dyqanet ushqimore, furrat e hotelet në veri

Në shenjë proteste për vendosjen e taksës 100% serbët në veri të Kosovës sot dhe nesër do të mbajnë të mbyllura të gjitha dyqanet ushqimore si dhe kiosqet me mallra.

Lidhur me këtë ditë më parë Indeksonline ka raportuar se si nga takimi i bizneseve në këtë anë është arritur marrëveshje që me 1 dhe 2 korrik të mos hapet asnjë subjekt afarist.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur në lokalet e Metllac në Zveçan, ku nën organizimin e unionit të biznesmenëve në veri morën pjesë Radosh Petroviq, Radule Steviq, Dragan Katolik, Vllaskoviqit e biznesmenë tjerë nga komuna e Mitrovicës e Zveçanit.

Me këtë rast u vendosur që të mos hapen as furrat, apo objektet hotelierike.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Bizneseve në veri të Kosovës, Rados Petroviq kjo masë do të jetë në fuqi derisa Prishtina të vendosë për heqjen e taksës, shkruan Indeksonline.

“Ne kemi paralajmëruar se nuk mund të veprohet kësisoj me taksën. Derisa taksa të vazhdojë të jetë në proces dhe ne nuk arrijmë t’i sigurojmë mallrat në mënyrë normale dhe të punojmë në një botë normale, kjo masë e jona do të zgjasë”, ka thënë Petroviq.

Sipas tij ky veprim nisi spontanisht, por që për të u pajtuan të gjithë përfaqësuesit e bizneseve.

Ndryshe ka disa ditë që kur shteti serb ka filluar planin për ‘katastrofë humanitare’ në veri të vendit, kinse qytetarët kanë mungesë të produkteve elementare ushqimore.

Lidhur me këto zhvillime me plan të Serbisë është njoftuar edhe Qeveria e Kosovës, si dhe mekanizmat e sigurisë përderisa pati edhe një reagim nga KFOR-i, ku zëdhënësi i saj, kolonel Vincenzo Grasso tha se ky lloj i retorikës për një ‘krizë të mundshme financiare’ nuk do të ndihmojë normalizimit e jetës së qytetarëve.