Interesat e Kosovës në kontekst të çarjes transatlantike

Shkruan Agon Maliqi

Arma kryesore e Kosovës në tre dhjetëvjeçarët e fundit, përmes së cilës ne kemi arritur që ta thyejmë asimetrinë e fuqisë ndaj Serbisë dhe të arrijmë statusin e sotëm në rendin ndërkombëtar, ka qenë mbështetja prej fuqive të mëdha perëndimore.

Kjo armë ka qenë vendimtare jo vetëm për shkak se gjatë kësaj kohe perëndimi ka qenë i plotfuqishëm dhe i pakontestueshëm, por edhe për shkak se, kur vjen puna të politika mbi Ballkanin, perëndimi përgjithësisht ka folur me një zë.

Ka pasur shtete që kanë luajtur rol prijës dhe të tjera që kanë ndjekur. Por përgjithësisht politika perëndimore ka qenë multilaterale dhe e bashkërenduar.

Çarja e sotme transatlantike, veçanërisht ajo në mes SHBA-ve dhe Gjermanisë, e ka dobësuar jo vetëm perëndimin në raport me fuqitë konkuruese, por e ka dobësuar edhe Kosovën në një moment vendimtar për përmbylljen e shtetësisë.

Kjo çarje në rastin tonë po reflektohet te dallimet mes shteteve të ndryshme rreth dialogut dhe çështjes së kufijve, por ajo është më e thellë, më strukturore dhe me gjasa për të qenë edhe afatgjate.

Administrata Trump po e ndjek një politike të jashtme unilaterale, realiste dhe më pak intervenuese, me fokus te gara me fuqitë e mëdha si Kina, dhe në masë të madhe ka hequr dorë nga promovimi i vlerave demokratike në botë.

Në këtë kontekst, kjo administratë po bie ndesh me shtetet kryesore europiane, veçanërisht me Gjermaninë, në një varg çështjesh – nga politikat e mbrojtjes (shpenzimet), te politika ndaj Rusisë, Kinës dhe Iranit, e deri te çështjet e ndryshimeve klimatike.

Në të gjitha këto çështje SHBA-të dhe Gjermania e kanë një lexim të ndryshëm të shkaqeve të problemeve botërore dhe ofrojnë zgjidhje të ndryshme. Ç’është më e keqja, të dyja vendet nuk po tregojnë interes për të ndërtuar konsensus, meqë besimi reciprok është në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në SHBA dominon njëfarë bindje se me Europën nuk ka çka të diskutohet, se ajo thjesht duhet të ulë kokën përballë kërkesave të SHBA. Dominon bindja se Europa është jofalenderuese dhe se prej vitesh po përfiton në kurriz të mburojës së sigurisë amerikane.

Në Europë në ndërkohë ekziston një bindje se ndaj SHBA-ve nuk duhen bërë shumë lëshime sepse duhet pritur edhe dy vite (pas zgjedhjeve) që ato të kthehen në binarë të politikës konvencionale.

Kjo nuk është hera e parë që multilateralizmi perëndimor përballet me çarje të mëdha. Ato kanë qenë të shpeshta edhe në të shkuarën. Luftërat e SHBA-ve në Lindjen e Mesme, si ndërhyrja në Irak, kanë qenë një rast i çarjes së thellë.

Por asnjëherë gama e mospajtimeve nuk ka qenë kaq e gjërë dhe nuk ka përfshrë aq shumë dallime strategjike (jo vetëm taktike). Shumë analistë vlerësojnë se ky nuk është vetëm fenomen i kalueshëm dhe i ndërlidhur vetëm me Administratën Trump, por një ndryshim më strukturor i cili mund të çojë drejt ndryshimeve afatgjate në arkitekturën politike dhe të sigurisë së perëndimit.

Si rrjedhojë, në zonat më periferike të botës demokratike ka shumë dyshime mbi të ardhmen e rendit ndërkombëtar dhe pikëpyetje mbi atë se cilat do të jenë implikimet e sigurisë.

Askund këto dilema nuk janë më të mëdha se në Europën Lindore. Për një kohë të gjatë shtetet e Europës Lindore kanë llogaritur në mburojën e sigurisë së ofruar nga SHBA dhe NATO, si dhe në projektin komplementar politik të BE-së. Tani ato përveçse nuk mund ta marrin për të mirëqenë NATO-n dhe BE-në, po përballen së brendshmi edhe me akumulimin e frustrimeve me tranzicionin politik dhe me rryma politike reaksionare dhe revizioniste, të nxitura nga vende si Rusia.

Si rrjedhojë shumë prej vendeve të lindjes po i rivlerësojnë, ose të paktën po i vënë në pikëpyetje, pozicionimet e tyre strategjike, dhe po i ridefinojnë interesat në përputhje me rrethanat e reja.

Në Kosovë ky debat mungon thuajse krejtësisht. Ekziston njëfarë vetëdijeje për çarjen mes vendeve të perëndimit, e kuptuar në kontekst të sfidave të momentit në lidhje me çështjen e kufijve. Por jo edhe njëfarë debati më i thellë për atë se cili lloj pozicionimi për të ardhmen, përfshi këtu edhe rreth temës së kufijve, është më në përputhje me interesat strategjike të Kosovës në kontekst të ndryshimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në fakt, më shumë sesa mendim të pavarur dhe shtjellim të interesave të Kosovës, ne sot shohim ngarendje dhe garë mes grupeve të ndryshme të interesit për t’u pozicionuar si përfaqësues vendas të qëndrimeve të shteteve të veçanta të huaja.

Kjo mungesë e agjencisë vendore me gjasë vjen jo vetëm për shkak të vogëlsisë dhe provincializmit tonë të thellë, por për shkak të fuqisë shpeshherë përcaktuese dhe imponuese që shtetet perëndimore kanë në politikën tonë të brendshme.

Debati rreth kufijve tregoi se kur çarjet e mëdha ndodhin në epiqendër, vendeve të vogla u imponohen pozicionimet.

Paaftësia e elitës sonë politike dhe intelektuale për ta artikuluar një pozicion konsensual dhe autokton në këtë kontekst – pra për të treguar agjenci veprimi përballë fuqive të mëdha – tregon se shtetësinë vazhdojmë ta kemi të pakonsoliduar nga brenda po aq sa e kemi edhe nga jashtë.