Garat e diturisë me nxënës dhe harmonizimi i tyre me U.A 04/2022

569

Shkruan: Burim Gjaka

Organizimet e ndryshme me karakter garues për nxënës ( garat e diturisë, garat artistike, gara për kretaivitiet dhe inovacion, garat e debatit, garat sportive etj) janë të lejueshme me U.A 04/2022 të hartuar nga MASHTI dhe po ndodhin vazhdimisht në institucione arsimore, mirëpo në këtë shkrim do të fokusohemi vetëm në garat e diturisë me nxënës sepse konsiderojmë se garat e tilla stimulojnë mësimnxënien dhe suksesin, tema këto për të cilat po zhurmohet më së shumti. Si duhet të mbahen këto gara, kush dhe si duhet t`i organizoj, a duhet të respektohet U.A 04/2022 gjatë organizimit të tyre, si duhet të trajtohen nxënësit pjesëmarrës, cili duhet të jetë produktivieti i këtyre garave, a duhet të bëhet ndonjëherë analizë e mirëfilltë pas organizimit të tyre, janë vetëm disa nga pikat që do të trajtohen në këtë shkrim, poashtu do të analizohen nene e pika kyqe të U.A 04/2022 që korespodojnë me shkrimin. Natyrisht se këto gara përveq nxënësve përfshijnë 3 hallka institucionale e që janë shkollat, DKA-të dhe MASHTI, mirëpo pasi që MASHTI është përgjegjës vetëm për garat republikane, ky shkrim do të trajtoj vetëm garat brenda shkollave dhe atyre në nivelin komunal, me tendencën për të dhënë një kontribut modest rrethë organizimit sa më të suksesshëm të garave të tilla në shkolla dhe DKA, natyrisht duke respektuar infrastrukturën ligjore aktuale dhe duke synuar avancimin e këtij procesi. Pra në shënjestrën e këtij shkrimi nuk është individi, mirëpo procesi si i tërë, me mundësi avancimi nëse eventualisht ka ndonjë ngecje.

Qëllimi i organizimit të garave të diturisë me nxënës duhet të jetë motivimi i nxënësve për suksese më të mëdha, rritja e nivelit të konkurrencës, shpërblimi i nxënësve të dalluar etj, kurse parimet e një gare diturie duhet të jenë gjithëpërfshirja, mosdiskriminimi, barazia, trasnparenca dhe objektiviteti ( shih U.A 04/2022, neni 4, pikat 1.1, 1.2, 1.3, 1.4 dhe 1.5). Institucionet përgjegjëse për organizimin e garave të diturisë janë shkollat, DKA dhe MASHTI. Shkolla mund të mbaj ç`fardo gare diturie që konsideron se është fitimprurëse për nxënës, DKA duhet t`i organizoj garat për klasët e nënta, një herë në vit, kurse MASHTI-t i takojnë garat republikane dhe ato ndërkombëtare. Klasët e pesta mund të mbajnë gara diturie vetëm brenda shkolle dhe asesi në nivel komune ( shih U.A 04/2022, neni 16, pika 2).

Përgjegjësia për organizimin e garave në nivel komune bie mbi DKA-të, të cilat këto aktivitete duhet t`i përfshijnë në planet e tyre vjetore, të ndajnë buxhetin për këto gara, të krijojnë komisionin kordinues për organizimin e garave. Komisioni koordinues duhet t`i ketë 5-7 anëtarë dhe të ketë përfshirje nga DKA, shkollat (drejtorë dhe mësimdhënës) dhe përfaqësues të ndonjë organizate/shoqate profesionale, të licensuar, që merret me organizimin e garave, nëse ka ( shih U.A 04/2022, neni 9, pika 1,2,3). Ky komision duhet të hartoj planin dinamik të aktiviteteve, të krijoj komisione të veçanta profesionale për organizimin e garave, (në të cilat duhet të futen mësimdhënës të dëshmuar, nga shkolla të ndryshme) dhe të hartojnë instrumente vlerësuese të garave varësisht prej fushave apo lëndëve që organizohen garat. Pra DKA kujdeset që përmes komisionit komunal për organizimin e garave të koordinoj punët me nënkomisionet vlerësuese dhe shkollat, në mënyrë që garat të arrijnë synimet e dëshiruara ( shih U.A 04/2022, neni 10, pikat 1, 2,3,4 dhe 5).

Përgjegjësia për organizimin e garave të diturisë brenda shkolle bie mbi shkollat, të cilat këto aktivitete duhet t`i përfshijnë në planet vjetore të punës, pastaj krijohet komisioni koordinues brenda shkolle për mbarëvajtjen e garave, hartohet udhëzuesi dhe në fund caktohen komisionet vlerësuese varësisht prej llojit të garës, të cilat hartojnë instrumentet vlerësuese , kriteret dhe kërkesat ( shih U.A 04/2022, neni 11, pika 1,2,5).
Garat e diturisë në të gjitha nivelet duhet të organizohen në kohën kur nuk pengohet procesi mësimor në shkolla ( shih U.A 04/2022, neni 16, pika 11). Pjesëmarrja e nxënësve në gara të diturisë jashtë shkolle duhet të jetë vullnetare dhe duhet të bëhet me pëlqimin paraprak të prindërve të nxënësve. Anëtarët e komisioneve vlerësuese paraprakisht duhet të nënshkruajnë deklaratën nën betim se nuk kanë konflikt interesi në aktivitetin të cilin e zhvillojnë. ( shih U.A 04/2022, neni 13 pika 2.4)

Mënyrën e organizimit të garave e përcaktojnë komisionet vlerësuese, mirëpo shkollat duhet të jenë të informuar me kohë se si zhvillohet gara, në ç`formë, kur etj. Rezultatet e garave duhet të shpallen nga komisionet vlerësuese mirëpo duke pasur parasysh dy qështje: nuk shpallet fitues ekipa e cila nuk ka arrinë minimum 60% të rezultateve të pritura të garës dhe ekipet me rezultate të njëjta duhet të shpallen fitues të barabartë të garës ( shih. U.A 04/2022, neni 20, pikat 5,6 dhe 7).

Nxënësit e suksesshëm në gara duhet të përkrahen dhe promovohen nga institucionet përgjegjëse. Prezantimi i tyre në institucione të ndryshme e ngjarje të veqanta, performimi i tyre para komunitetit, organizimi i ekspozitave me të arriturat e tyre janë vetëm disa momente promovuese. Poashtu për nxënësit e dalluar duhet të ndahen qertifikata, shpërblime monetare, të organizohen kampuse arsimare, të përkrahen në projektet e tyre eventuale etj. ( shih U.A 04/2022, neni 23, pikat 1.1, 1.2, 1.3, 1.4, 2.1, 2.2, 2.3, 2.4, 2.5).
Përfundimisht garat e diturisë me nxënës janë më se të nevojshme. Ato duhet të mbahen çdo vit shkollor mirëpo gjithmonë në përputhje me U.A 04/2022. Garat duhet të planifikohen me kohë, organizimi duhet të jetë gjithpërfshirës, transparent dhe llogaridhënës. Drejtorët e shkollave duhet të jenë pjesë aktive e këtyre garave, ndërsa përveq shpërblimeve për të dalluarit duhet të ketë edhe masa ndaj atyre që tregojnë vazhdimisht ndër vite rezultate të dobëta. Komplet procesi i garave të diturisë duhet të përmbyllet me një analizë profesionale nga e cila duhet të nxirren rekomandimet dhe hapat e mëtutjeshëm që vitet pasuese garat të jenë edhe më të suksesshme.