Interesim i ulët për t’i vëzhguar zgjedhjet në Podujevë

Dje është hapur fushata elektorale për zgjedhjet lokale në qytetin e Podujevës.

Partitë politike të Kosovës do të garojnë për të udhëhequr me Podujevën e mbetur pa kryetar pasi kryetari i kaluar i kësaj komune, njëherit nënkryetar i LDK-së, Agim Veliu ka marrë postin e ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë Kurti.

Në Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës janë akredituar kandidatët që synojnë udhëheqjen e Komunës së Podujevës, por është vërejtur një interesim minimal për t’i vëzhguar zgjedhjet në këtë qytet, shkruan lajmi.net.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për lajmi.net ka treguar se Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon të përgatitet për ditën e zgjedhjeve në Podujevë.

Elezi është shprehur se duke marrë parasysh planifikimet dhe datat e përcaktuara për planin operacional të KQZ-së, ky institucion do të përkujdeset që qytetarët me të drejtë vote të kryejnë detyrën e tyre më 15 mars.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me realizimin e të gjitha aktiviteteve përgatitore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, sipas planifikimeve dhe datave të përcaktuara me planin operacional. Natyrisht se deri në ditën e zgjedhjeve do të përmbushen të gjitha detyrimet ligjore në mënyrë që qytetarët me të drejtë vote të komunës së Podujevës të mund të votojnë më 15 mars.”, tha Elezi për lajmi.net.

Por, për zgjedhjet në Podujevë, nuk është treguar interesim për vëzhgimin e procesit zgjedhor.

Elezi është shprehur se deri më tani janë akredituar vetëm 8 vëzhgues nga një media dhe nga një ambasadë.

“Deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar vetëm 8 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë një media dhe një ambasadë. Aktualisht jemi duke proceduar me disa kërkesa të tjera dhe besojmë se gjatë kësaj jave KQZ-ja do të ketë mbledhje ku do të akreditojë vëzhgues të tjerë”, tha Elezi.

Zëdhënësi Elezi për lajmi.net ka treguar se afatet për aplikim të subjekteve politike dhe OJQ-ve për t’i vëzhguar zgjedhjet e Podujevës është 10 mars, ndërsa për vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediat deri më 12 mars.

Gjithashtu vlen të theksohet se vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor dhe procesin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediave është deri më 12 mars. Pra, deri në këto data ne do të presim aplikimet dhe pastaj KQZ-ja bën akreditimin e tyre nëse janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe procesin tjetër në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi për lajmi.net.

Ndërkohë, vlen të theksohet se qytetarët e Podujevës do të mund të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar më 15 mars, ndërkohë që fushata është hapur.