Intervenimi i NATO-s në Kosovë

Shkruan: Bujar Klinaku

Pas përpjekjeve të vazhdueshme, për t’u liruar njëherë e përgjithmonë nga pushtuesi serb, populli shqiptar në Kosovë, u desh që të organizohej, fillimisht përmes lëvizjeve të ndryshme paqësore, të cilat nuk patën ndonjë efekt të madh, dhe më pas përmes organizimit ushtarak, pra krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitet 1998-1999 filloi një luftë e ashpër në mes të njësiteve të UÇK-së dhe forcave policore dhe ushtarake serbe. Në anën tjetër, forcat ushtarako-policore serbe , duke mos mundur të ballafaqohej drejtpërdrejt me njësitet e UÇK-së, ajo filloi që t’i maltretonte popullatën civile, duke kryer kështu masakra të tmerrshme , duke vrarë dhe masakruar gra e fëmijë, pleq e plaka.

Shfaqja e UÇK-së, dhe frika për një shkallëzim të dhunshëm , thirrën në skenë bashkësinë ndërkombëtare, e cila u gjet e detyruar për të vepruar me vendosmëri. Çfarë nuk qe e mundur të arrihej për vite të tëra me protesta paqësore dhe mosbindje qytetare, u arrit brenda pak muajve me anë të dhunës.

Masakra e Raçakut u bë një pikë kthese vendimtare që e shtyri bashkësinë ndërkombëtare të mendojë më tepër, që palëve në luftë t’iu kërkojë që të përgatiteshin për bisedime me pjesëmarrje të drejtpërdrejt ndërkombëtare në një vend që do të përcaktohej. Kështu, u organizua Konferenca e Rambujesë.Nënshkrimi i “Marrëveshjes së Rambujesë” nga pala shqiptare kishte për qëllim ndërprerjen e luftimeve, kthimin e të zhvendosurve, gjë të cilën pala serbe nuk e bëri. Pasi që pala serbe nuk e nënshkroi këtë marrëveshje, pasoi sulmi ushtatrak i NATO-s ndaj caqeve serbe, i cili zgjati 78 ditë.

Intervenimi i NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999, ishte një intervenim humanitar ndërkombëtar. Kjo u bë, për shkak se në Kosovë po bëhej vazhdimisht shkelja e të drejtave të njeriut (individuale dhe kolektive) nga regjimi i Millosheviqit, pastaj në Kosovë po rrezikohej nga shfarosja apo zhdukja e një populli të tërë, nga po ai regjim. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare duke e parë një gjë të tillë, vendosi që të intervenojë në Kosovë për qëllime humanitare nga ana e NATO-s.

Edhe Karta e OKB-së lejon intervenimin humanitar kundër një shteti sovran në situatat , kur Këshilli i Sigurimit (KS) i OKB-së mund të arsyetohet për të drejtuar një ndryshim të përhershëm në pikëpamje të statusit, kufijve, strukturës politike ose sistemit ligjor të një territori, brenda një shteti, nëse KS i OKB-së përcakton se një gjë e tillë është e domosdoshme për të rikthyer dhe ruajtur paqën dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ekzistojnë argumente “pro” dhe “kundër” intervenimit të NATO-s më 24 mars 1999 në Kosovë. Argumentet “kundër” mundohen të argumentojnë se intervenimi humanitar në Kosovë nuk ishte intervenim i pastër nga pikëpamja “ligjore”, sepse ky intervenim, sipas tyre nuk bazohej në ndonjë rezolutë eksplicite të KS të OKB-së. Kurse, argumenti “pro” ishte argumenti që mbronte legjitimitetin e këtij intervenimi, meqë ai parandaloi dhe shpëtoi një popull të tërë nga spastrimi etnik dhe nga gjenocidi. Sido që të jetë, ky intervenim u lejua edhe nga Këshilli i NATO-s , ku tre anëtarët e këtij Këshilli, janë edhe anëtarë të përhershëm të KS të OKB-së.

Përkundër kontestimeve nga ana e disa autorëve, se intervenimi humanitar në Kosovë nuk ishte legal , ku ata këtë tezë e mbështesin në mosautorizimin eksplicit të tij me një rezolutë të KS të OKB-së dhe me shpjegimin se “intervenimet ushtarake nuk lejohen ndaj shteteve sovrane”, në këtë rast Serbisë, mirëpo argumentet e tyre nuk qëndrojnë për së paku tri arsye: së pari, Karta e OKB-së (neni 1) nuk mbron vetëm shtetet sovrane si vlera, por edhe të drejtat e njeriut; së dyti, KS i OKB-së më 1998 kishte nxjerrur tri rezoluta, bazuar në kapitullin e VII, e cila autorizon edhe përdorimin e forcës ndërkombëtare, nëse nuk përmbushen obligimet nga ato rezoluta. Mirëpo, regjimi i Millosheviqit nuk kishte plotësuar kërkesën e këtyre tri rezolutave të KS të OKB-së për ” ndalimin e dhunës” dhe tërheqjen e forcave ushtarake dhe policore nga Kosova; dhe së treti, vetë Karta e OKB-së , në kapitullin VIII, u lejon organizatave rajonale (siç është edhe NATO-ja) që të ndërmarrin masa për ruajtjen dhe kthimin e paqës dhe stabilitetit.

Pra, me sa mund të shihet, intervenimi i NATO-s më 24 mars 1999 në Kosovë ishte legal dhe legjitim.